Flash

I tradhtuar për një dasëm/ Pse e lëshoi qeveria Artur Meçollarin, ushtarakun e sulmuar nga opozita

Lapsi.al 8 August 2020
I tradhtuar për një dasëm/ Pse e lëshoi qeveria Artur

Shkarkimi i menjëhershëm i Artur Meçollarit si zv.komandant i Forcës Detare për ceremoninë e një dasme, në të cilën dhëndëri ishte fiksuar ta përfshinte një anije ushtarake, lë shijen e një preteksti banal që mezi pritej.

Dyshimet shtohen nëse reagimi i rreptë i Olta Xhaçkës, për ta hequr qafe ushtarakun e shumëpërfolur vihet në kontekstin e betejës politike që u bë dy vite më parë kur Meçollari, u mbrojt fort përballë sulmeve të opozitës.

Artur Meçollari ishte strumbullari i një debati të fortë politik, pasi u propozua nga Ministri i Jashtëm asokohe Ditmir Bushati, si pjesë e grupit negociator për kufinjtë me Greqinë. Emri i tij u sulmua nga Partia Demokratike dhe u kalua me mëdyshje nga Ilir Meta.

Drejt Artur Meçollarit u hodhën akuza të forta si spiun i agjenturave të huaja, i papërshtatshëm për të përfaqësuar interesat kombëtare në një tryezë ku diskutohen kufijtë detarë me Greqinë. Pasionant në akuza ishte Sali Berisha, që për Meçollarin deklaronte:

 “Do ta denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosjen në krye në grup negocimi të një ish spiuni të Forcave të Armatosura, i larguar pas dokumentimeve të pakundërshtueshme të SHISH, të ushtrisë dhe të dhënat e tjera, i larguar me vendim të prokurorisë së përgjithshme dhe që ky agjent, ky spiun, Artur Mecollari, diçka e kësaj natyre siç ka të drejtë çdo shtetas që akuzohet më të padrejtë, nuk i është drejtuar gjykatës se faktet kanë qenë katastrofale. Ai ka zgjedhur rrugën e xhepit apo influencës apo vendin tjetër që merrte rrogën, për tu rikthyer në funksione nevralgjike të shtetit shqiptar”

                                                                                        Sali Berisha, shkurt 2018

Olta Xhaçka e mbrojti personalisht ushtarakun e preferuar të qeverisë, në kulmin e akuzave të Berishës.

“Meçollari nuk pranoi të firmoste për heqjen e disa bazave detare nga plani i përhapjes. Nuk pranoi t’ua jepte bazat detare, miqve dhe familjarëve të doktorit kryeminister. Sulmi ndaj Mecollarit kur shtypi shkruante për megaaferat me bazën e Bisht Pallës, kur shtypi shkruante për shitblerjen e pronave në Porto Romano mes familjarëve të Berishës me Damir Fazllic” 

                                                                                               Olta Xhaçka shkurt 2018

Xhaçka foli për një konflikt të ushtarakut me qeverinë e PD-së në vitin 2012. Artur Meçollari ishte komandant në detyrë i Forcave Detare, kur refuzoi të nxjerrë nga “Plani i Përhapjes së Ushtrisë” bazën ushtarake detare të Bisht Pallës. Me nxjerrjen nga “Plani i Përhapjes së Ushtrisë” pronat në këtë zonë, mund të privatizoheshin dhe baza ushtarake mund të zhbëhej.

Për të njëjtën çështje ishte shkarkuar para tij admirali Kudret Çela.

“Isha zëvendës i admiral Kudret Çelës dhe e kam zëvendësuar nja 20 ditë. Nuk lëkundesha nga pozicioni i admiral Çelës” ka thënë Artur Meçollari në atë kohë.

Më i qartë kishte qenë në shpjegimin e situatës admiral Kudret Çela. I pyetur se pse u shkarkua ai dhe Artur Meçollari, Kudret Çela përgjigjej shkurt: “Sepse kundërshtuam që të mbyllej Bisht-Palla”.

Baza Detare e Bisht-Pallës kishte nisur të rindërtohej, duke u bërë e përshtatshme për ankorimin e anijeve luftarake. Sipas komandantëve, sugjerimet e ekspertëve të NATO-s ishin që baza të ruhej.

Përplasja tjetër me Berishën ishte një letër që ushtaraku i kishte shkruar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilit i kërkonte llogari se përse e kishte mbyllur hetimin e marrëveshjes së parë të kufinjve me Greqinë, të negociuar nga Sali Berisha dhe më pas të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

"Mosinformimi i opinionit publik në kohë për mbylljen e hetimeve, nuk lë shije të mirë për shoqërinë tonë dhe kjo për më tepër kur çështja e projekt-marrëveshjes detare me Greqinë ka pasur dhe ka ende një sensibilitet të lartë publik, si dhe ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 15 mars 2010, që e shpall atë të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë" shkruante Meçollari duke i drejtuar Prokurorit 26 pyetje ku kërkohej informacion mbi hetimet.

Se përse socialistët e lëshuan kaq shpejt dhe kaq lehtë ushtarakun e tyre të preferuar mbetet një mister.

“Shkarkimi nga detyra ka ardhur pasi nuk ka respektuar rregullat e sigurisë dhe ka shkelur statusin e ushtarakut duke organizuar një event pa dijeninë e strukturave përkatëse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndoshta përgjigjia e shkarkimit të tij mund të gjendet në zëvëndësimin e shpejtë që u bë, ende pa u tharë boja në letrën e shkarkimit.

Sepse menjëherë sapo është larguar Meçollari, detyrën e tij e ka marre gjeneral major Bajram Begaj, i cili prej pak ditësh u emërua Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura, pas një dekretimi të shpejtë në presidencë nga Ilir Meta.© Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.67

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI