“Ministrja e Shëndetësisë duhet te japë dorëheqjen! Ajo ka mashtruar qytetarët përmes pamjeve të rreme, duke i terrorizuar ata”. Këtë kërkesë e bën Partia Demokratike nëpërmjet ish-deputetit Bardh Spahia.
Por çfarë ka ndodhur? Gjithçka lidhet me një video që ministrja publikoi në faqen e saj zyrtare në Facebook mesditën e së shtunës. Shikoni më poshtë, por KUJDES sepse pamjet janë të rënda. Njërëz që rënkojnë se po vdesin, mjekë që vrapojnë dhe pacientë që mezi marrin frymë.
Duke shkelur çdo lloj etike profesionale dhe njerëzore publikimi i këtyre pamjeve ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm në publik. Ndonëse ministrja thotë se e bën këtë për sensibilizuar janë të shumta komentet që thonë se pamje të tilla mbjellin terror dhe frikë te qytetarët. Por njëlloj si Rama që publikoi pamjet e policisë që dhunonte protestuesit në Egjipt duke i shitur si të ardhura nga Spanja edhe vartësja e tij nuk i ka shpëtuar autogolit.
Rasti më i rëndë u denoncua nga faqja “Jeta osh qef” ku një qytetar kishte njohur në pamje gjyshen e tij që sipas denoncuesit kishte qenë e shtruar gjatë muajit qershor në spital për arsye të tjera që nuk lidhen me koronavirus. Ai thotë se gjyshja e tij shfaqet 2 herë në video duke rënkuar gjatë kohës që kishte vështirësi në frymëmarrje kur ishte në urgjencë. Sipas të njëjtës dëshmi, e moshuara është tashmë në shtëpinë e saj pasi e ka kaluar më të keqen. Ai ka publikuar edhe dokumentet e nxjerrjes së gjyshes së tij nga spitali.

Autogoli i dytë i ministres së Shëndetësisë dhe shefit të saj që kohë më parë doli në TV me një palë gërshërë që sipas tij ishin marrë nga spitalet tashmë të trasnformuara në moderne është një shishe uji e zakonshme në vend të qeses së serumit te njëri nga pacientët. Mesa duket edhe kjo shishe i ka shpëtuar syrit të mjeshtreve të propagandës që këqyrin çdo pamje që del nga qeveria.
“Ogerta Manastirliu duhet të japë dorëheqjen, sepse në vend të mesazheve bashkëpunuese, edukative për qytetarët, mbjell frikë dhe terror me regjinë e rreme makabre të Edi Ramës. Pamjet tregojnë se serumet jepen në shishe uji. Në këtë nivel të tmerrshëm ka mbërritur shëndetësia falas, që premtoi Edi Rama 7 vjet e gjysmë më parë” – thotë ish-deputeti demokrat Bardh Spahia i cili kërkon nga SPAK të nisë hetimet për rastin.
Rama e hoqi menjëherë videon e pretenduar të Spanjës duke u justifikuar se “ia kishte dërguar një mik”. Manastirliu nuk ka folur ende. ©LAPSI.al


