Listat nuk mund të jenë “pak të hapura”. Ato ose hapen fare ose po u hapën pjesërisht, janë prapë të mbyllura. Kufizimi me 33% i listave të hapura me pretekstin e ruajtjes së kuotave gjinore është artificial. Mjafton që partitë të sanksionojnë që gjysma e kandidatëve të tyre do të jenë gra dhe nuk ka nevojë për kuota gjinore. Elektorati gjithashtu është 50/50 meshkuj femra. Nëse elektorati do pëlqejë më shumë deputete gra se burra nga listat e hapura, do ta ketë mundësinë e zgjedhjes. Duke vendosur kufizim që 33% e deputetëve nuk do vijnë nga listat e hapura që i zgjedh populli por nga emërimet e kryetarëve, nuk garantohet barazi gjinore. Rehatohet vetëm nomenklatura partiake.
Gjithashtu edhe mbajtja e sistemit “rajonal” spanjoll është një marrëzi. Shqipëria është tepër e vogël për t’u rajonalizuar. Ndarja në rajone ngjan si zgjatim i zgjedhjeve lokale brenda zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo është e panevojshme, sepse ne e kemi tashmë një mënyrë për të zgjedhur përfaqësues lokalë me zgjedhje vendore. Gjithashtu sistemi rajonal krijon hapësira që idiotë me lekë ose me muskuj, të vijnë në Kuvend duke arritur të mbledhin lokalisht vota e të kalojnë pragje që në një sistem kombëtar do t’i shikonin me dylbi.
Pra, lista të hapura po, por duhet edhe Proporcional kombëtar.
Pragu 5% nga ana tjetër, është vendosur duke supozuar se ajo Shqipëria që ishte mjaftueshëm e madhe sa për t’u ndarë në rajone, është edhe tepër e vogël për të lejuar të përfaqësohet nga më shumë se dy-tre parti. Si i tillë ky lloj pragu është një tjetër rudiment shtazor që duhet korrigjuar sepse ka krijuar situatë monopoliste në politikë.
Pra, lista të hapura, proporcional kombëtar, prag i ulët.
Së fundi, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje duhet të kenë të gjithë lirinë të vetë-organizohen në çdo variant: si individualisht, si parti, apo si koalicion partish. Preteksti se kjo i ndërlikon fletët e votimit apo shton kostot e organizimit të votimeve, nuk pi ujë. Nuk ka ndërlikim apo kosto më të lartë sesa të kesh demokraci të cungët.
Por që demokracia të mos jetë e cungët nuk mjafton vetëm ndreqja e procedurës teknike sesi zgjidhen ligjvënësit në demokraci.
Duhet që programet elektorale të partive të cilat janë në fakt kontrata, ashtu si çdo kontratë tjetër, të shndërrohen në dokument me përgjegjësi ligjore. Kush shkel një kontratë, paguan penalitete tek ne. Kush shkel “kontratat” elektorale, s’mban asnjë përgjegjësi. Prandaj këtu, dikush që votohet se ka premtuar të sjellë drejtësi e të ndalë revanshin e korporatave, sapo merr pushtetin e gris fletoren e premtimeve dhe kthen pllakën.
Ky është problemi ynë. Kjo duhet zgjidhur me kod zgjedhor e me kushtetutë. Të tjerat janë teknikalitete.