Andi Bushati: PO listave të hapura, JO lojrave të Ramës
Pas nënshkrimit të marëveshjes së Këshillit politik mes PS, PD, LSI opozita parlamentare po e kushtëzon votimin e reformës zgjedhore duke propozuar një projektligj për ndryshime kushtetuese. Në atë draft (shiko poshtë), opozita e re kërkon lista të hapura të kandidatëve, një prag prej 5% të votave, që forcat politike duhet të marrin, para se të përfitojnë mandate parlamentare, si dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur deri tani qëndrimin se kërkesat e tyre "janë legjitime pasi mbështeten edhe nga një pjesë e qytetarëve" dhe me sa duket për tua forcuar këtë legjitimitet po u jep edhe deputetë me qera. ©Lapsi.al
Neni 1
Neni 64 ndryshohet si vijon:
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal.
2. Numri i mandateve të deputetëve që i takojnë çdo rajoni zgjedhor përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë që në rang vendi kanë fituar jo më pak se pesë për qind të votave të vlefshme.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet.”
Neni 2
Paragrafi 1 i nenit 68 ndryshohet si vijon:
“1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.”