Opozita si term vjen nga latinishtja dhe do të thotë "të jesh kundër" dikujt apo diçkaje.
Establishmeti Luli Rama sapo hodhi hapin vendimtar drejt altarit të 2021, duke u bërë bashkë për të ruajtur status-quonë deri sa vdekja (burgu apo populli) t'i ndajë. Tashmë është e qartë, edhe zyrtarisht, që Luli nuk ka më asgjë kundër Ramës, apo asaj që Rama përfaqëson.
Luli nuk mendon më që Rama vjedh zgjedhjet. Luli nuk mendon më që mandati i Ramës është i vjedhur, dhe për këtë arsye ai duhet rrëzuar një orë e më parë nga pushteti. Luli nuk mendon më që Parlamenti është ilegjitim dhe duhet të shpërndahet. Luli nuk mendon më që zgjedhjet moniste të 2019 duhen anulluar dhe përsëritur një orë e më parë. Luli ka ndryshuar mendim.
Sot, pjesa më e madhe e shoqërisë kërkon një ndryshim thelbësor dhe themelor. Sot, shoqëria kërkon fundin e monopoleve, që kanë sjellë pabarazi ekonomike, politike dhe sociale. Shoqërisë i ka ardhur në majë të hundës me tranzicionin 30 vjeçar, dhe me servilët e kryetarëve që dominojnë çdo sferë të jetës publike. Shoqëria sot kërkon garë në politikë, garë në biznes dhe hapje të lojës, duke i garantuar kujtdo mundësi të barabarta për të përparuar. Por Luli Rama nuk mendon kështu. Luli Rama mendon që gjërat janë shumë mirë kështu siç janë. Se, helbete, përmbi ylberin e kodrave të Tiranës jeta duket fushë me lule.
Prandaj, duke mos qënë më kundër Ramës, por partner i tij, Luli sot ka humbur legjitimitetin, por edhe mundësinë, për të përfaqesuar pjesën opozitare të shoqërisë. Sot ai është më pranë Ramës se atyre që janë në opozitë me të.
Sigurisht, ai ka humbur opozitën, por jo biznesin opozitar. Luli do të vazhdojë të marrë qindra milionë lekë në vit nga buxheti i shtetit në emër të opozitës. Luli do të vazhdojë ta mbajë biznesin monopol të flamurit opozitar, të cilin e jep me qira sa herë që partnerit të tij i duhet të veshë mantelin evropian të liderit konsensual. Por Luli sot, nuk mundet dot të përfaqësojë opozitën në Shqipëri. Sot, jo më.
Sot, opozita e vetme në vend janë njerëzit e lirë, të cilët kanë ende guximin për të parë dhe dinjitetin për të folur. Sot opozitë janë ata që nuk i kane vënë një çmim as shpirtit dhe as fundshpinës. Sot, opozitë është kushdo që kundërshton këtë establishment, i cili të dyja këmbët i ka në pushtet, ndërsa duart në xhepat e shqiptarëve.
Pavaresisht se si quhesh, nga vjen, ku jeton, apo si jeton, sot ti që ke guximin të jesh kundër establishmentit Luli Rama, je e vetmja opozitë reale e këtij vendi. Ti nuk merr para, dhe nuk ke as flamur dhe as seli. Por ti je ende njeri i lirë, dhe për pasojë je opozitar, sepse je kundër asaj që po ndodh në këtë vend. Je kundër mënyrës se si këta po e vjedhin atë pasuri që na përket të gjithëve, duke na detyruar që ose të nënshtrohemi, ose të endemi rrugëve të botës.
Ndërsa ju militantë dhe aspirantë, aspirantë dhe militantë, që jeni vënë në rolin e spektatorëve ka ardhur koha të mos shtireni më. Mos u hiqni sikur nuk e shikoni qartë që shfaqja ka mbaruar. Perdja ka rënë, aktorët kanë zhveshur rolet dhe kanë dalë përpara publikut sebashku me regjizorin dhe producentin.
Ju jeni të lirë të bëni zgjedhjen tuaj. Mund të vazhdoni të duatrokisni, me shpresën se dikush do ju ftojë në skenë, ose të paktën do t’ju kthejë paratë e biletës. Ose mund t’i ktheni kurrizin skenës dhe të largoheni që aty.
Në çdo rast, lodhja është e kuptueshme, kur ke përballë një actor meskin që ëndërron të bëhet magaziner. Por nëse ju sot nuk keni më forcë për tu rebeluar e për të luftuar, mos harroni që ka të tjerë që ende vazhdojnë të rezistojnë.
Ju e dini çdo të thotë të jesh opozitar në një teatër të cilit po i shemben muret nga tronditjet e kambaleve të dhunës. Do ishte mirë ta dinit...
Prandaj sot, kini lirinë të bëni çfarë të doni, por kini mirësinë të mos i bëni më opozitë opozitës reale të këtij vendi. Ata po luftojnë edhe për ju.
Endri Shabani, shkruar per Lapsi.al