Flash

Skaneri/ Veliaj, sa shumë mashtrime vetëm brenda një interviste (video)

Lapsi.al 12 May 2020
Skaneri/ Veliaj, sa shumë mashtrime vetëm brenda një interviste

Erion Veliaj e ndjek symbyllurazi shefin e tij. Ndonëse të gjithë fanatikët e së majtës u revoltuan që kryeministri shkeli në televizionin e Berishës, SYRI TV, ‘Lali” nuk pyeti fare për ta por u shfaq edhe ai në ekranin opozitar. Por, ndryshe nga Rama, ai do të kishte qenë më mirë të mos kishte dalë, sepse vetëm brenda një ore bisedë bëri aq shumë gafa dhe fabrikoi aq shumë gënjeshtra, sa nuk mund t'i prodhojë askush tjetër përveç atij. Lapsi.al i ka numëruar njëra pas tjetrës.

Lexo me tej:

Analiza/ Veliaj, maska e punëve të pista të Ramës

Fillimisht kryebashkiaku përsëriti tezën se bashkëpunimi me kompaninë Fusha u ndërpre pasi kjo firmë, që merr shumicën e tenderave me para shtetërore, nuk ishte aq e pasur sa të përballonte kërkesat e dy artistëve (Veliaj nuk guxoi t'i përmendë as emrat e tyre) për ta bërë skenën rrotulluese të lëvizshme.

Pra, një projekt që kaloi me ligj special, për të cilin u bë më shumë se dy vjet betejë, të cilin e ktheu presidenti dhe BE, patën fuqi ta zhbënin dy aktorë anonimë. Këtë zor se mund ta besojë kush, aq më tepër që një biznes, nga i cili sipas llogarive do kishte një fitim 200 milionë euro, mund të prishej për një skenë lëvizëse. Pra shikuesit duhet të binden nga “Lali”, kur u betohet se Fusha që kishte kapacitete të zbatonte kapriçot e njërit prej arkitektëve më të mirë në botë, Bjarke Ingels, nuk qenkësh në gjendje të përballojë financiarisht kërkesën e dy aktorëve… Hajde dhe besoje.

E dyta qe pohimi se projekti do të bëhet sërish nga danezi Bjarke Ingels, megjithëse një herë u tha se ky u tërhoq. Por ajo që harroi kryebashkiaku, qe fakti se ai dhe Rama na kanë thënë në fillim se ndërtimi i teatrit të ri kishte nisur sipas një oferte të pakërkuar të propozuar nga kompania Fusha. Sipas gënjeshtrës së mëparshme, qe Fusha ai që e kishte gjetur edhe projektin e arkitektit danez. Megjithëse këtë fabulën se Bjarke dhe Çimi u bënë partner pa bekimin e Ramës nuk e besonte kërkush që kur u tha, tani Velija doli hapur. Duke pohuar në intervistë se Fusha binte por Ingels mbetej, ai vetëm sa konfirmoi se na kishin gënjyer atëherë dhe po e bëjnë për së dyti prapë.

E treta qe përgjigja për pyetjen e gazetares Armela Ferko, e cila i nxorri një sinkron të Ramës në shtator 2019 i cili thoshte se teatrin e ri do e ndërtojë privati pasi shteti nuk ka mundësi që ta përballojë koston e tij as sot dhe as nesër.  Fakti se bashkia vendosi ta ndërtojë sot e nxirrte bllof argumentin e kryeministrit disa muaj më parë. Por si një pelivan i paskrupullt, Veliaj tha se vërtet shteti nuk ka buxhet për ta ndërtuar, por ai do ta bëjë këtë duke marrë një kredi 20- 30 vjeçare. Pra kur bëhej gjithë ai debat se përse i falej truall shtetëror privatit në mes të Tiranës duke hartuar për këtë edhe një ligj special anti kushtetues, Rama dhe Veliaj nuk e paskëshin ditur se ekzistonte në këtë rruzull mundësia e kreditimit. Ata e "mësuan" këtë vetëm pasi Fusha nuk kishte fonde për të ndërtuar një skenë lëvizëse.

E katërta qe justifikimi se përse nuk gjenden fonde nga institucionet ndërkombëtare për restaurimin e godinës aktuale, ndërkohë që institucione prestigjoze si Europa Nostra, që marrin para nga banka të fuqishme, e kanë shpallur atë një monument me vlera tejet historike. Pa lidhje, Veliaj u përgjigj se presidenti i Republikës nuk i kishte firmosur kredi për ndërtim rrugësh nga të njëjtat banka, prandaj ai që donte të zhvillonte Tiranën nuk kishte kohë të priste këto manovra. Pra shkurt, në mënyrë qesharake, Veliaj pohoi se Teatri Kombëtar do të shkallmohet nga frika që ai ka se mos presidenti lobon kundër një kredie të mundshme për rehabilitimin e tij.

Në fund, kryebashkiaku u pyet për pikën më të nxehtë për të cilën është përndezur debati nëse do të ndërtohen kulla në truallin pas teatrit. Ai nuk e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se do shihet në të ardhmen. Ndërsa kur u ballafaqua me shkeljen e premtimit se nuk do jepte leje ndërtimi në Tiranë, ai tha se kishte thënë se nuk do e bënte këtë deri sa të kishte një plan rregullues. Por pasi plani u miratua, ai e lëshoi dorën. Po shikoni sa e bukur është kontradikta që e nxjerr zbuluar. Për të mbuluar gënjeshtrën e 2015, ai i referohet planit urbanistik si kushtetuta e qytetit. Por ama kur pyetet nëse do ndërtohet në tokën pas teatrit, ai bën sikur nuk ka plan të parashikuar se si do zhvillohet ajo zonë dhe e lë hipotezën të hapur.

Këto ishin pesë pikat më flagrante të kësaj intervistë që Lapsi.al i ballafaqoi me qëndrimet e mëparshme. Por çdokush që mund ta rishohë këtë bisedë (video poshtë), ku zor të gjesh ndonjë fjali të sinqertë, mund të zbulojë edhe shumë mashtrime të tjera.

©Lapsi.al

https://youtu.be/QqCUZqqlNds

 

 

 

 

 

 

 

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI