Peter Tiede u bë papritmas aq i njohur në Shqipëri, po sa dhe Luljeta Bozo pas tërmetit, apo Pëllumb Pipero në kohën e koronavirusit. Kur në pranverën e një viti më parë, gazeta e tij bulevardeske “Bild” publikoi përgjimet e vjedhjes skandaloze të votave në Durrës dhe Dibër, që i hodhën benxinë zjarrit të konfliktit politik në vend, gazetari me origjinë gjermano lindore nuk e ruajti dot veten nga fama e tij e beftë.
Ai filloi ti përgjigjej me statuse në rrjetet sociale kryeministrit shqiptar, filloi ti shkruajë OSBE-së kundër tij, duke dalë nga kostumi i respektuar i një gazetari investigues.
Lexo me tej:
Gazetari gjerman që nxorri përgjimet e Dibrës mesazh OSBE-së: Edi Rama është armik i medias së lirë!
Me gjasë edhe më këtë reporter politik 50 vjecar ndodhi e njëjta gjë që u ngjan shumicës të të huajve që merren me Shqipërinë: prekja nga ajo që quhet sindroma e Laurencit të Arabisë, që e sheh veten si shpëtimtar në një vend të vogël dhe të prapambetur.
Peter Tiede do ketë dhënë në mediat shqiptare aq intervista me siguri nuk ka dhënë gjatë gjithë jetës në vendin e tij.
Dhe natyrisht për këtë faji nuk është vetëm i gazetarit gjerman, por mbi të gjitha i shqiptarëve që u ndanë përgjysëm, një pjesë për ta trajtuar si hero, dhe pjesa tjetër si sharlatan.
Në qershor të vitit të shkuar, pasi kryeministri Rama vendosi gjoja ta hidhte në gjyq gazetarin gjerman (postimi poshte), një media vendese si Shqiptarja.com, një nga ato që ka guximin të botojë sondazhe që e nxjerin Ramën liderin më të pëlqyer në rruzull, përmblodhi më së miri atë që mendojnë qarqet pro qeverisë dhe servilët e saj për gazetarin gjerman. “Si në Shqipëri, ashtu edhe në Gjermani, në fakt, ai, që përfiton direkt apo indirekt nga përdorimi i materialeve të vjedhura, ka kryer një vepër penale.
Të gjitha këto, Peter Tiede nuk duket se i ka kuptuar dhe ai këmbëngul me agresivitetin e tij verbal, pa e ditur se çdo postim i tij kundër Ramës bëhet një provë e re në dosjen e avokatit sepse ata tregojne qe ai nuk reagon si nje gazetar i pavarur dhe profesionist, por si nje militant qe eshte pjese e nje fushate politike. Kështu që lind pyetja nëse ky Tiede a është vërtet aq naiv, apo vetëm bën sikur është i tillë” shkruante në qershorin e shkuar Shqiptarja.com.

Por, me nota krejt të tjera e përshkruajnë atë mediat e opozitës. Ai është një personazh i vlefshëm për ti bërë portretin. “Tiede lindi në vitin 1970 në një qytezë të vogël me mbi 2 mijë banorë, të quajtur Mejenburg. Në atë kohë, qyteza me një histori të pasur, e cila ka prodhuar jo pak mjekë dhe inxhinierë, ishte pjesë e Gjermanisë komuniste. Kushdo që dëshiron ta vizitojë, mund të gjejë aty disa kisha, një kështjellë të vogël, disa memoriale dhe mbi të gjitha shumë kuaj” raportohet në një shkrim të rimarë sot nga një numër mediash pranë PD-së.
Historia/ Fundi i paralajmëruar i “Dosjes 184” për vjedhjen e votave të Dibrës
Madje aq i rëndësishëm duket personazhi sa ia vlen të përshkruhet edhe qyteza e vogël ku ai ka lindur dhe ku më pas ka punuar si zdruthar në një fabrikë që prodhonte në kohë të komunizmit mobilje për IKEA-n: “Mejenbergu ishte i famshëm që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore për diçka tjetër: për mobiliet. Në vitin 1946 aty u hap një prej mobilierive më të mëdha në Gjermaninë lindore (Republika Demokratike Gjermane). Thuajse të gjithë banorët ishin të angazhuar në prodhimin e mobilieve në një punishte me sipërfaqe mbi 4 mijë metra katrorë.
Tiede nuk bënte përjashtim. Në jetëshkrimin e tij në Bild thuhet se ai bënte një punë të zakonshme: teknik i specializuar në përpunimin e drurit. Më së shumti, në këtë mobilieri prodhoheshin raftet e famshme ‘Billy’, të gjigantit suedez IKEA”.
Ky gazetar investigues që më parë ka punuar edhe për media me shumë reputacion si “Spiegel”, nuk ka lënë TV shqiptar dhe emision të rëndësishëm politik pa dhënë intervistë. Tani së fundi ai u shfaq në emisionin e Adi Krastës për të shpjeguar se si dështoi Edi Rama në procesin e paralajmëruar ndaj tij. Dhe me stilim e zakonshëm ai paralajmëroi një scoop tjetër: të zbulonte se sa i ka kushtuar kryeministrit shqiptar angazhimi i avokatit gjerman të milionerëve, Mattihas Prinz.
Dy faktet/ Bllofi i Ramës për gjyqin me BILD
Edhe njëherë Tiede e arriti qëllimin dhe u bë lajm ngado.
Por edhe njëherë, jo për ndonjë meritë të vecantë, por për faktin banal se flet në Shqipëri nga lartësia e të qenit i huaj.
Në fakt kjo është arsyeja reale e famës së tij në anët tona. Edhe me scoop-in e parë ai nuk është se kishte ndonjë meritë të vecantë. Ai shfrytëzoi disa përgjime që disa prokurore, që regjimi nuk i linte të hetonin lirisht, arritën ti ‘rrëmbenin”. Ata i dorëzuan tek opozita e cila për më shumë se një vit denoncoi se ato do të dalin. Më në fund ajo gjeti të përditshmen Bild dhe ia dorëzoi. Kaq e vërtetë është kjo skemë politiko gazetareske, sa gazeta gjermane i publikoi edhe në shqip përgjimet që ato të kishin efekt dyfish këtu tek ne.
Natyrisht, pasi ka vërtetuar autenticitetin audio të masakrës elektorale, Tiede ka bërë ata që cdo gazetar race do ta bënte: publikimin e materialeve.
Këtu atij nuk mund ti bëhet asnjë kritikë.
Por ama e vërteta duhet thënë ashtu sikurse është. Ato materiale ai nuk i zbuloi si rrjedhoi e punës investiguese. Ato atij iu sevirën. Ata që besojnë se të njëjtat të vërteta vlejnë më shumë kur shqiptohen në gjuhë të huaj, në një farë mënyre e përdorën gazetarin gjerman. Dhe këtë përdorim ai po e shfrytëzon tani për tu shitur këtu tek ne, si një shembull i reporterit investigues. Dhe e gjitha kjo në kurriz të Edi Ramës, gomarllëqet e të cilit Tiede po i shfrytëzon për aureolën e vet. Madje duke premtuar se nuk ka përfunduar ende.
©Lapsi.al