Mesazhi i dytë është ai i rëndësishmi, ku mohohet se autoritetet amerikane janë në djeni të një marëveshje sekrete mes Thaçit dhe Vuçiçit për ndarjen e Kosovës.
Lexo më tej:
Deklarata e DASH se nuk ka shkembim territoresh nuk i bind specialistët më të njohur ballkanikë
Përmes një deklarate të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ata kanë garantuar se: “Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, si kanë spekuluar disa. Përfaqësuesi i posaçëm, Richard Grenell nuk e ka parë dhe as që ka diskutuar ndonjë plan të tillë. Fokusi i Qeverisë së SHBA-së në përkrahjen e marrëveshjeve të kohëmëparshme për kthimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore synon ta përmirësojë gjendjen ekonomike dhe të krijojë momentum ekonomik. Besojmë se ky momentum do të japë energji të re për një proces dialogu që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë”, shkruhet në njoftim. Çfarë dimë deri më tani për shkëmbimin e territoreve? Po ku është problemi këtu dhe pse ky njoftim nuk garanton asnjë gjë? E para komunikata thotë se nuk ka një plan të fshehtë, sikur po të kishte të vërtet një të tillë do e shpallini në publik me njoftim për shtyp tre diplomatët. Deri më tani, historia e botës nuk njeh ndonjë marrëveshje të fshehtë që të pranohet kaq thjeshtë. E dyta aty thuhet: "Përfaqësuesi i posaçëm, Richard Grenell nuk e ka parë dhe as që ka diskutuar ndonjë plan të tillë". Pra në deklaratë nuk theksohet se ambasadori Grenell, është kundër një zgjidhjeje me ndryshim kufijsh, por vetëm që ai nuk është i njohur tani për tani me një gjë të tillë. Amerikanët kur duan dinë të jenë shumë arrogante dhe të drejtëpërdrejtë, ata nëse duan nuk kanë nevojë të bëjnë lojra fjalësh: "E kemi parë, nuk e kemi parë". Ata mund të shprehen troç se nuk ka marrëveshje mbi principin e shkembimit të teritoreve por deri tani nuk e kanë bërë. E treta, është se një marëveshje sekrete me shkëmbin teritoresh nuk ka parë dhe diskutuar as Berlini zyrtar, por ama kjo nuk e ka penguar as diplomacinë gjermane, as kancelaren Merkel të shprehen qartë se një zgjidhje e tillë do të qe hapje e kutisë së Pandorës për gjithë rajonin. Deri më tani Uashingtoni ka treguar se nuk e ka këtë frikë dhe kjo është shqetësuese. E katërta, administrata e Trump e ka shprehur më parë se nuk është kundërshtuese ndaj një projekti me ndryshim kufijsh. John Bolton, ish-këshilltari i Presidentit Trump për Siguri Kombëtare, tashmë i shkarkuar, që ka qenë dikur bosi i Riçard Grenellit në OKB e kishte artikuluar qartë: "Politika jonë, politika e SHBA’së, është se nëse dy palë mund të arrijnë të bëjnë marrëveshje me njëri tjetrin, ne nuk e përjashtojmë as korigjimin e kufirit. Nuk është punë e jona të ndërhyjmë”, kishte thënë Bolton në gusht 2008, pikërisht në momentin kur Thaçi- Vuçiç kishin bërë publike intensionet e tyre. Prandaj për të gjitha këto arsye deklarata e treshes të të dërguarit të posaçëm të administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, nuk përbën asnjë garanci se nuk do të ketë një marëveshje me shkëmbin kufijsh. ©Lapsi.al