Sa më i madh dështimi, aq më e madhe zhurma dhe propaganda për ta mbuluar atë. Kryeministri Rama nëpërmjet deputetëve të tij në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, ka ndërmarrë aktin e radhës për të larguar vëmendjen nga paaftësia e qeverisë së tij për të përballuar që në ditët e para një epidemi, plotësisht të parashikuar, që preku Shqipërinë.
Deputetët e mazhorancës në këtë komision, kanë kallëzuar penalisht ish kryeministrin Berisha, nën moton e famshme të "nxitjes së panikut". Kryeministri Rama, i cili pak ditë më parë thoshte "se nuk jemi të kërcënuar" apo se "nuk ka ardhur fundi i botës", dje dhe sot e ka krahasuar situatën e epidemisë me gjendje lufte, ka paralajmëruar daljen e ushtrisë në rrugë dhe, si në asnjë vend tjetër, ka urdhëruar të mbyllen të gjitha lokalet e shërbimeve në Tiranë dhe Durrës. A ka diçka tjetër që mund të përhapë panik më shumë se sa këto masa ekstreme, kur në të gjithë Europën, përfshi dhe Italinë, qeveritë po e menaxhojnë situatën hap pas hapi, pikërisht për t'ua lehtësuar sa më shumë jetën e përditshme qytetarëve të tyre.
Masat ekstreme të qeverisë u njoftuan paralelisht me përmasat që mori skandali i maskave të skaduara, mëdje të fallsifikuara në datën e tyre të skadencës, dhe njëkohësisht u përgatit padia për Sali Berishën, pasi opozita çoi në prokurori ministren Manastirliu, e cila pa u skuqur mohoi publikisht në emisionin Opinion se ishin shpërndarë maska mbrojtëse të skaduara.
Mungesa e transparencës në menaxhimin e situatës, mosbërja publike ende e fondeve të destinuara për këtë rast dhe të përdorimit të tyre, masat e vonuara në kufizimin e lëvizjeve me Italinë, zvarritjet për ngritjen e qendrave të karantinës, nxorrën zbuluar para shqiptarëve se në cilat duar varet fati i tyre.
Ndryshe nga tërmeti, ku Rama dilte me pelerinë para kamerave nëpër gërmadha e shtëpi fatkeqësh, këtë herë nuk mundet që të dhurojë spektakël nga spitalet për të kamufluar paaftësinë e pashërueshme të qeverisë së tij. Prandaj, i njëjti njeri që deri dje thoshte nuk kemi kërcënim, tani po flet për gjendje lufte, masa ekstreme e deri kërcënime me burg për ata që përpiqen të qartësojnë përgjegjësinë e autoriteteve në raport me krizën që sapo ka nisur.
Vetë teksti që kanë publikuar deputetët e PS në Komisionin e Shëndetësisë për padinë kundër Berishës, e nxjerr zbuluar qëllimin e gjithë kësaj zhurme dhe ekstremizimi të situatës:
“Ne konstatojne me shqetesim disa veprime keqdashese te disa personave politikë që synojnë të perhapin panik, mosbesim tek stafet mjekesore dhe demoralizim.
Per kete qellim bazuar ne Nenin 267 te Kodit Penal ne Republiken e Shqiperise kemi vendosur te kallzojme penalisht shtetasin Sali Ram Berisha ish- deputet, për përhapjen e informatave apo njoftimeve të rreme, me imazhe të montuara apo komente me shkrim (përmes faqes së tij facebook), të cilat targetojnë opinionin publik duke nxitur me vetëdije një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit.
Gjithashtu i bëjme thirrje Partisë Demokratike të ndalojë menjëherë daljen në Tiranë dhe në bashki të tjera të vendit të përfaqësuesve të saj, të instruktuar për të përhapur panik.
Kallzimi i plote penal do te depozitohet neser ne mengjez ne Prokurorine e Tiranes”.
Thirrja për Partinë Demokratike, e tregon qartë se çfarë e shqetëson Edi Ramën. Ai jo vetëm nuk do të japë llogari për përgjegjesitë e qeverisë që drejton, por kërkon që edhe t'u mbyllet goja atyre që e kërkojnë këtë. Kjo nuk ndodh as kur vërtet ka luftë. ©lapsi.al