Partia Demokratike pa paraqitur sot një pjesë të mirë të propozimeve për tryezën e reformës zgjedhore dhe rolin që duhet të luajnë Policia, Prokuroria dhe SPAK në betejën e ardhshme elektorale, por ajo ka mbetur evazive dhe e pa përcaktuar qartë, se si mendon ti realizojë këto objektiva në kuadrin e një pushteti pa Edi Ramën në krye.
Përfaqësuesit ligjorë të PD-së, Ivi Kaso, Enkelejd Alibeaj dhe Oerd Bylykbashi, shpjeguan në mënyrë të detajuar se sa larg duhet të qëndrojë një polic nga qendra e votimit, se sa kohë përpara duhet të merrej prokuroria me zgjedhjet, se ç’rrol konkret duhet të merrte SPAK, por ata nuk dhanë një kuadër të qartë se si do të arrinin tek një qeveri teknike apo tranzitore, apo se sa mundësi kishte që të realizohej ajo.
Edhe kur u pyetën në konferencën për shtyp edhe në intervistat që dhanë më pas në media, ata u mjaftuan të thonë se detajet e tjera do ti shpalosin më vonë.
Ajo që dihet deri më tani është se Partia Demokratike kërkon që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet, që zgjedhjet të organizohen nga një qeveri kujdestare tre muaj para datës së votimeve.
Sipas deklaratave të shkëputura aty këtu, pa marrë formën e një dokumenti të plotë, arrihet të kuptohet se kjo qeveri nuk do të jetë një koalicion i dy partive të mëdha, do të jetë pa Edi Ramën, por me një tjetër kryeministër teknik dhe të paanshëm.
Përpos këtij propozimi demokratët mendojnë që edhe ministri i brendëshëm të jetë teknik, dhe pa konflikt interesi si pjesmarrës i drejtëpërdrejtë në zgjedhjet e radhës.
Po sipas projektit, që ka PD në përpunim, ky i fundit, 100 ditë para zgjedhjeve do të emërojë një drejtor të ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kryepolici do të ketë kompetenca të plota për të bërë ndryshime në strukturën e Policisë duke larguar prej saj njerëzit e dyshuar për lidhje me krimin elektoral.
Megjithëse ende i paplotë, nga projekti i PD-së kuptohet se ajo kërkon jo vetëm një qeveri pa Ramën, por edhe pa Sandër Lleshin dhe Ardi Veliun që duhet gjithashtu të zëvendësohen nga pasues teknikë.
Por, mbi këtë propozim rëndon ende hija e dyshimit për të cilën demokratët nuk japin dot përgjigje (ata që u pyetën nuk e bënë dot as sot).
A ka garanci se 100 ditë qeveri teknike mund të zhbëjnë dot gjithë fijet që kanë lidhur pushtetin e rilindjes, me botën e krimit, me parat e oligarkëve dhe me propagandën e shitur të mediave të mëdha?
Së dyti, nëse shumica i përmbahet deri në fund qëndrimit që ka deri sot, për të mos e pranuar këtë qeveri tranzitore, ç’do të bëjë opozita, a do ti bojkotojë zgjedhjet, a do të vazhdojë të qëndrojë jashtë sistemit, apo do të rikthehet aty si cjapi tek kasapi?
Dhe së treti, a mund ti arrijë ajo këto kërkesa maksimaliste për ruajtjen e votës, ndërkohë që i ka braktisur protestat, rrugën radikale dhe është rikthyer në tryezën e bisedimeve?
Përgjigjet e plota për këto do të merren kur PD të shpalosë të plotë platformën për qeverinë tranzitore dhe sidomos strategjinë që do të ndjekë në rast se ajo nuk pranohet.
©Lapsi.al