Ndërkohë që sot në Kosovë përkujtohet përvjetori i masakrës së Reçakut, në 15 janar 1999, ai ka marrë një përmasë të shtuar pas deklaratave të presidentit serb Vuçiç që e ka cilësuar atë së fundi si një krim të fabrikuar.
Në fakt, qëndrimi i Vuçiç, nuk ishte një rrufe në qiell të pastër. Serbët po e po, por edhe shumë dëshmitarë, gazetarë, idhtarë të teorive konspirative, shohin përreth ngjarjes që shërbeu si shkak për mbledhjen e konferencës së Rambouillet (tre javë më vonë në 6 shkurt) dhe më pas bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dorën fallcifikatore të shërbimeve sekrete.
Në mënyrë të përmbledhur ngjarja është kjo. Në 15 janar në afërsi të fshatit Reçak, në qendër të Kosovës, u zhvilluan luftime mes forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. të nesërmen në 16 janar, shefi i misionit vëzhgues të OSBE, Uilliam Uollker gjeti 45 trupa shqiptarësh të vdekur në një varr masiv. Ai menjëherë deklaroi: “Është një masakër, një krim kundër njerzimit”.
Qëndrimi i shqiptarëve dhe i perendimorëve që e shfrytëzuan këtë ngjarje për ti dhënë goditjen e fundit Millosheviçit qe: ‘të vrarët ishin civilë që u masakruan me gjak të ftohtë nga ushtria serbe”.
Qëndrimi i Beogradit i mbështetur edhe nga pahndehma paranojake ishte: “këta ishin terrorristë të UÇK-së, të vrarë përgjatë luftimeve” që më pas u grumbulluan në një vend për të krijuar një ngjarje që do lejonte goditjen e Serbisë.
Në bazë të kësaj teze të dytë gëlojnë edhe teoritë konspirative me kryesoret ndër të cilat Lapsi.al po i sjell këtu. Ato fajësojnë së pari ambasadorin Uilliam Uollker, si një njeri të CIA-s i cili nxitoi menjëherë ta quante ngjarjen krim kundër njerzimit pa pritur asnjë ekspertizë.

Ato e lidhin këtë pandehmë me të shkuarën e tij si diplomat amerikan në Amerikën Latine dhe rrolin e tij në fshehjen e një krimi, vrasjen e gjashtë priftërinjve me bindje të majta nga trupat pro amerikane të qeverisë së Salvadorit. Duke iu referuar një shprehje të intelektualit të famshëm majtist, Naom Shomski, që e konsideron ambasadorin Uollker si “specialist të hetimit të krimeve shtetërore” ato e quajnë të dyshimtë shfaqen e tij në Reçak dhe reagimin e tij të menjëhershëm.
Por hipotezat nuk mbarojnë këtu. Ajo që u kunsiderua nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s , Havier Solana si një “vrasje civilësh e qëllimtë dhe e pakuptimtë” është për dyshuesit një “krim shumë perfekt për tu besuar. Ata mbështeten kryesisht tek rrëfimi i një gazetari francez që ka qenë present në luftimet e asaj dite dhe reportazhit që ai ka botuar. Kristof Shatelo, shkroi në Le Monde në 21 janar shkrimin: “Të vrarët e Reçakut a u ekzekutuan gjakftohtësisht”? Sipas dëshmive të mbledhura prej gazetarit, nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe dy gazetarë amerikanë që ndiqnin luftimet e 15 janarit në njërën prej kodrave përballë, policia serbe nuk mund të mblidhte qetësisht fshatarët dhe t’i eksekutonte pa shqetësim, ndërkohë që ajo ndodhej në grykën e zjarrit të UÇK-së.
Ai ngre edhe një pyetje të dytë: Si fshatarët e Reçakut që u kthyen në shtëpitë e tyre pas luftimeve të së premtes nuk e dalluan dot varrin e përbashkët të masakrës që e zbuloi të nesërmen Uilliam Uollkeri?
Dhe Kristof Shatelo, që shkruante në një gazetë që do të mbante një qëndrim të hapur pro luftës, nuk nguron të bëjë deduksionin: “Ato mund të kenë qenë trupa luftëtarësh të vrarë gjatë betejës që u mblodhën më pas për të krijuar efektin e tronditjes së opinionit”. Këto argumenta i ka rimarrë me shumë dëshirë edhe autori kontrovers Pierr Pean, që në librin e tij ku e nxin luftën e Kosovës “Një luftë e drejtë për një shtet mafioz, shkruan: “Duke qenë se Reçaku ishte pika e kthesës për fillimin e bombardimeve, nuk duhet të jemi indiferentë ndaj vërtetimit se ai mos u përdor me qëllimin e vetëm për përshpejtimin e luftimeve”.
Gjithashtu, dy vite më vonë, gazeta gjermane Berliner Zeitung mbërrin në përfundimin se Reçaku që shërbëu për të nisur luftën, “nuk qe një vrasje massive e civilëve shqiptarë nga milicia serbe”. Sipas të përditshmes berlineze, ekspertët mjeko ligjorë finlandezë që hetuan për origjinën e viktimave dhe momentin e ekzekutimit të tyre nuk arritën dot në përfundimin se ata qenë banorë të Reçakut. Dhe konkluzioni i shkrimit është tejet i fortë: ‘provat për atë që u paraqit nga OSBE dhe nga politikanët perendimorë si një masakër e civilëve nga forcat e sigurisë serbe, nuk ekzistojnë”.
Pra mbi këto hipoteza mbështetet presidenti serb Vuçiç dhe ata që mendojnë si ai se ai qe “një krim i fabrikuar”.

Por ndonëse për ngjarje të tilla teoritë konspirative, pandehmat negacioniste nuk mungojnë asnjëherë në historinë e botës, që nga holokausti e deri thellë në historinë e largët, Reçaku u njoh si një krim nga gjykata penale e Hagës dhe ish presidenti serb Millosheviç u akuzua edhe për të gjatë procesit të tij pas luftës. Sot shqiptarët e marrin atë si një ngjarje të mirqenë dhe e përkujtojnë prej 21 vjetësh.
©Lapsi.al