Ambasadat e SHBA dhe BE, pro zgjedhjes antikushtetuese të Kuvendit
Pra, tashmë, nuk ka më asnjë dyshim, se në të gjitha marrëzitë e tij, Edi Rama ka pasur mbështetjen e pakushtëzuar të ndërkombëtarëve. Të pohosh këtë, do të thotë t'u thuash shqiptarëve të vërtetën. Eshtë e kotë të vazhdosh t'i besosh një mashtrimi alternativ, ashtu siç bën opozita jonë e kapur dhe pa ide, se atij po i ngushtohet rrethi apo se këtij regjimi ia kanë hequr vizën. Më e ndershme sesa të ushqesh publikun me fabula të paqena, do të qe të përpiqeshe të kuptoje se nga vjen mbështeja për këtë regjim dhe cilat janë pasojat e saj. Njëra nga arsyet mund të kërkohet tek vetë mosbesueshmëria e opozitës, tek mendësia e instaluar, se në këtë humbëtirë të gjithë janë njësoj, e cila e ysht çdo diplomat cinik të mendojë: e pse duhet të angazhohemi apo për ta bërë më keq? Një tjetër alternativë mund të jetë kokfortësia për të çuar përpara, me çdo mjet, qoftë edhe me ndihmën e një pushteti të korruptuar, eksperimentin e reformës në drejtësi që po degradon dita- ditës. Pasi kanë harxhuar para, propagandë, energji, në Uashington dhe në Bruksel mund të duan thjeshtë të shohin të hedhur suvanë e një godine me themele të shkërmoquara, vetëm për të raportuar se puna u krye, vetëm për të bërë dy- tre shembuj, pavarësisht se drejtësi për shqiptarët nuk do të ketë kurrë. Dhe për ta përfunduar këtë maskaradë, ata e dinë se nuk mund ta bëjnë, as pa mbështetjen e ekzekutivit dhe as pa kartonat e atyre që e votojnë në kuvend. Idhtarët e teorive konspirative mund ta shpjegojnë këtë mbështetje të palogjikshme, qoftë me paranojat për rolin e Sorosit, qoftë me ato të lobistëve fuqishëm që janë të njëjtë me ata të Vuçiçit. Të tjerë akoma mund të ngrejnë hipoteza dhe supozime të ndryshme për këtë situatë absurde. Por, për të gjithë është e qartë se duke u sjellë në këtë mënyrë, aleatët tanë po i zhgënjejnë ata që besuan tek reforma në drejtësi dhe ata që ëndërruan se do të bëhet më mirë, njësoj siç lanë në baltë kurdët e Sirisë, që luftuan përkrah tyre kundër DAESH-it. Ata mund të vazhdojnë ta mbështesin pa kushte regjimin e Ramës, njësoj siç kanë mbështetur Dinh Diemin në Vietnamin e Jugut apo Pinoçetin në Klili. Historia nuk i përjashton as të mëdhenjtë nga teoria e gabimit. Por, në pikën ku kemi mbërritur, nëse vazhdojnë ta lënë Edi Ramën të justifikojë çdo krim në emër të tyre, ata jo vetëm nuk e ndihmojnë dot më atë, por e zhveshin edhe veten nga roli i arbitrit moral që kanë luajtur për tre dekada, duke mbathur çizmet e të fuqishmit, që imponohet me anë të dhunës, por jo të besueshmërisë. ©Lapsi.al