Flash

Profil/ Ardian Dvorani, gjyqtari i tre regjimeve, që shkaktoi krizën e tanishme kushtetuese

Lapsi.al 14 November 2019
Profil/ Ardian Dvorani, gjyqtari i tre regjimeve, që shkaktoi krizën e

Njolla më e madhe që po i vendoset reformës në drejtësi, e cila ka degraduar në pikën e betimit të gjyqtarëve kushtetues përpara noterit, ka vetëm një emër: ajo lidhet me gjykatësin Ardian Dvorani, që është njëkohësisht edhe kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Për të kuptuar më mirë sesi u arrit deri këtu, duhet njohur më me thellësi karriera e tij. Prej nga vjen, kush e ka katapultuar dhe cilat janë njollat e së shkuarës.

Për të gjithë antikomunistët, ky gjyqtar i kohës së diktaturës do të mbahet mend gjatë se pikërisht në periudhën kur regjimet totalitare në botë ishin shembur, ai dënoi qytetarë shkodranë me 15 vite burg për terrorrizëm, vetëm se kishin rrëzuar, lexojeni mirë… kishin rrëzuar, bustin e Stalinit në dhjetor ‘90.

Partia Demokratike ia ka përmendur shpesh këtë fakt, duke e stigmatizuar për mbrojtjen deri në fund të një diktature në agoni, duke ia kthyer parç dhe mbrapç këtë vendim të 13 dhjetorit ’90.

Por, historia nuk mbaron me kaq. Ky personazh, që demokratët e urrejnë sa më s’bëhet, rezulton t'u ketë shërbyer edhe atyre me të njëjtin zell siç dinte t'i përunjej stalinistëve të fundit të Europës.

Në kohën kur Berisha erdhi në pushtet, ai qëlloi të ishte anëtar i Gjykatës së Lartë. Në rrethet e juristëve, nisur nga e shkuara e tij, por edhe nga lidhjet e ngushta që kishte me Fatmir Xhafën, mbikqyrësin e PS-së në gjyqësor, ai njihej si një “i pavarur” pranë së majtës. Kjo bindje u shtua edhe më shumë, pasi ai humbi të vëllain gjatë tragjedisë korruptive të Gërdecit.

Çdo opozitar i regjimit të Berishës ndihej i sigurtë se kishte një përkrahës në gjykatën supreme të vendit.

Por, kur erdhi puna të vihej në provë, vëllai i viktimës së fabrikës së vdekjes, i zhgënjeu të gjithë ata.

Në momentet më kruciale, atëherë kur duhet të gjykonte pataten e nxehtë të videos Meta- Prifti, që u bë edhe sebepi i masakrës së 21 janarit, Ardian Dvorani do ta nxirrte në pah karakterin e tij të vërtetë.

Të gjithë e mbajnë mend se Sali Berisha u përpoq me mish e me shpirt ta nxirrte të pafajshëm aleatin e tij, të cilit në formë presioni ndaj gjyqtarëve, i shkoi për darkë një ditë para procesit. Një nga ata që e hëngri këtë presion, duke ndikuar që rezultati në Gjykatën e Lartë të dilte 5-0 pro Ilir Metës, do të ishte pikërisht ai, Ardian Dvorani.

Thashethemet atëherë qarkulluan se e kishin shantazhuar me një video të dyshimtë, duke e bërë të ndryshonte qëndrim.

Megjithëatë, ndonëse ky aludim nuk u vërtetua asnjëherë, ai mbeti si një nga gjykatësit që i shërbyen Berishës, atëhere kur i duhej më shumë dhe kur e pati më të nevojshme.

Kohët ndryshuan shpejt. Meta e braktisi Berishën për t'u vllazëruar me Ramën dhe radha erdhi edhe për kameleonin Dvorani, sërisht. Ish stalinisti që i shërbeu Saliut, tani do të konvertohej sërisht si i majtë.

Fati i tij i madh ishte se ardhja e Rilindjes në pushtet përkoi edhe me projektin ogurëzi të kapjes së drejtësisë. Ajo do t'i lejonte Dvoranit të vazhdonte të qëndronte në Gjykatën e Lartë edhe pas skadimit të mandatit, ndonëse kolegët e tij dhanë dorëheqjen kur u mbaroi afati.

Aftësia për t'u lëpirë me pushtetin e radhës e shpëtoi edhe në vetting. Ndonëse për shumë më pak sesa kaq, kolegë të tij ishin djegur gjatë rivlerësimit, ndonëse nuk i rezultonin 100 milionë të justifikuara të pasurisë dhe i mungonin 4 faqe “prej pakujdesisë” në formularin e pasurisë, Dvorani doli i pastër.

Jo vetëm kaq, pasi vettingu dogji Zaganjorin, ai u bë formalisht edhe kryegjyqtar i Gjykatës së Lartë, me vetveten si anëtar të vetëm.

Me këtë tagër u emërua në fillim të këtij viti kryetar i Këshilli të Emërimeve në Drejtësi (KED), nga ku prodhoi edhe kaosin e tanishëm.

Ndonëse Ardian Dvorani tentoi të kandidonte në Kushtetuese për shërbimet e bëra, partisë i duhej përkohësisht në KED dhe ai dha momentalisht dorëhejen nga ambicia e tij.

Në KED duhet të përzgjidhte anëtarët për Gjykatën Kushtetuese, ngritja e së cilës ishte shndërruar në një urgjencë për ndërkombëtarët dhe ishte shënuar në një nga 9 kushtet e Bundestagut gjerman.

Po të rilexohen deklaratat e tij, si ajo që i dha në qershorin e kaluar A2 CNN, se që në atë kohë listat e kandidatëve ishin gati dhe në shtator ata duhet të zgjidheshin në kushttuese, kuptohet më mirë gjithçka.

Por, këtu, në bashkëpunim me Rilindjen, filloi procesi i vonesës, qëllimi i së cilës ishte çuarja e zarave të partisë në krye të drejtësisë.

Dvorani në një dakordësi të hapur me Parlmentin e drejtuar nga Ruçi, bënë gjithçka për t'i hequr mundësinë e një zgjedhje të lirë presidentit Meta. Ai që nga data 21 shtator (pra pikërisht atëhere kur pati deklaruar se procesi do përfundonte) e deri në 7 nëntor i mbajti të fshehura në sirtarin e skrivanisë së tij, listat tashmë të votuara nga anëtarët e tjerë të KED. E bëri këtë me qëllim, pa njoftuar asnjë nga kolegët dhe megjithëse ligji nuk i njeh asnjë të drejtë më tepër se këta të fundit.

Pastaj në bashkërendim me Gramoz Ruçin, ia dërgoi listat parlamentit në afatin e skajshëm, deputetët i vonuan po në afatin e skajshëm prej 30 ditësh, në mënyrë që Arta Vorpsi të zgjidhej automatikisht dhe të shmangej Ilir Meta nga procesi.

Si pasojë e këtyre manovrave sa meskine, po aq edhe perverse, ne jemi sot në gjendjen që kemi dy të emëruara në një karrige për Gjykatën Kushtetuese, dhe në pozitën groteske, kur njëra prej tyre shkon e betohet përpara një noteri buzë Lanës.

Ky pra është kontributi i një personazhi si Ardian Dvorani, stalinisti i fundit në Shqipëri, njeriu që e ndihmoi regjimin e Berishës duke e shpëtuar në gjyqin e Metës dhe që tani po i shërben me zell Rilindjes.

Kuptohet se duke pasur në krye kameleonë të tillë, tipikë për tranzicionin shqiptar, ku do të përfundonte reforma euro- atlantike në drejtësi, aq shumë e propaganduar nga ata që na kanë lënë tashmë shëndenë: Lu dhe Vllahutin.

©Lapsi.al

Të këshilluara

Shengeni Ballkanik/ Si po manipulon Edi Rama ?

Edi Rama po gjendet gjithnjë e më i rrethuar mes faktorëve shqiptarë për të shtyrë përpara idenë e përbashkët me Vuçiçin, atë për një mini-Shengen Ballkanik. Ai...

12:36

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

93.72

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI