Një dalje e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian do të ishte obsioni më i padëshiruar nga të gjithë për divorcin e mbretërisë ishullore nga unionit kontinental.
Për këtë arsye, Bashkimi Europian, pra të gjithë vendet anëtare, kanë miratuar zyrtarisht një zgjatje “fleksibël” të afatit të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian deri më 31 janar të vitit 2020. Më herët ishte vendosur që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja më 31 tetor.
Kjo zgjatje “fleksibël” e afatit nënkupton se Britania mund të largohet nga BE-ja më herët nga data e caktuar nëse ratifikon marrëveshjen e rishqyrtuar të kryeministrit britanik, Boris Johnson, në një datë më të hershme se afati i 31 janarit.
Çfarë është Brexit-i pa marrëveshje?
Në një skenar pa marrëveshje, Mbretëria e Bashkuar do të linte menjëherë Bashkimin Evropian pa asnjë marrëveshje në lidhje me procesin e "divorcit".
Mbretëria e Bashkuar do të linte menjëherë marrëveshjet e tregut të përbashkët europian dhe të bashkimit doganor të krijuar për të ndihmuar tregtinë midis vendeve të BE-së duke eleminuar kontrollet dhe tarifat (taksat mbi importet).
Dalja pa marrëveshje nënkupton gjithashtu largimin e menjëhershëm të Britanisë nga institucionet e BE-së, siç janë Gjykata Europiane e Drejtësisë dhe Europol, organi i saj i zbatimit të ligjit.
Anëtarësimi tek trupi europian që vendos rregullat mbi gjithçka, nga ilaçet deri tek markat tregtare, do të përfundonte për Britaninë e Madhe.
Gjithashtu, vendi nuk do të duhet të kontribuojë më në buxhetin e BE, aktualisht rreth 9 miliardë paund në vit, shkruan Lapsi.al.
Çfarë do të thoshte për tregtinë një Brexit pa marrëveshje?
Në skenarin e Brexit-it pa marrëveshje, nuk do të kishte kohë për të sjellë një marrëveshje tregtare mes unionit dhe mbretërisë.
Tregtia fillimisht do të duhej të ishte me kushte të përcaktuara nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), një agjenci me 162 vende anëtare.
Nëse kjo do të ndodh, atëherë për mallrat e bizneseve angleze që do dërgohen në vendet e BE-së do të aplikohet një tarifë tjetër më e madhe, që i shqetëson kompanitë e mbretërisë pasi çmimi i produkteve të tyre do të ngrihet dhe kjo do ti bëjë shumë më pak kompetitivë në tregjet e mëdha të unionit europian.
Tregtimi me termat e OBT-së do të nënkuptonte gjithashtu kontrolle kufitare për mallrat, të cilat mund të shkaktojnë telashe me trafikun në porte.

Dalja pa marrëveshje do të thoshte gjithashtu që industria e shërbimeve në Mbretërinë e Bashkuar do të humbte aksesin e garantuar në tregun e përbashkët të BE-së.
Kjo do t’i prekte të gjithë, nga bankierët dhe avokatët, e nga muzikantët deri tek kuzhinierët.
Çfarë do të ndodh me kufirin irlandez?
Askush nuk e di se çfarë do të ndodh në kufirin irlandez nëse do të ketë një Brexit pa marrëveshje.
Në teori, kontrollet kufitare do të nevojiten sapo Mbretëria e Bashkuar të largohet nga tregu i vetëm dhe bashkimi doganor.
Sidoqoftë, as qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe ato irlandeze nuk kanë thënë se janë të gatshëm të instalojnë poste kufitare.
Po në lidhje me 'faturën e divorcit'?
Mbështetësit e daljes pa marrëveshje thonë se Mbretëria e Bashkuar mund të shmangë pagimin e marrëveshjes së divorcit të rënë dakord nga qeveria e Theresa May. Bëhet fjalë për rreth 33 miliardë paund.

Por nëse Mbretëria e Bashkuar refuzon të paguajë ka një mundësi që të përfundojë në një gjykatë ndërkombëtare.
Edhe nëse nuk do të kishte pasoja juridike, refuzimi për të paguar mund të nënkuptojë pasoja politike. Mund të zvogëlohen shanset e mbretërisë për të siguruar një marrëveshje tregtare me BE-në në të ardhmen.
Çfarë do të thotë për individët?
Individët mund të preken në shumë mënyra, shkruan Lapsi.al.
Për shembull, nëse paundi britanik bie ndjeshëm në përgjigje të Brexit-it pa marrëveshje dhe ka vonesa të konsiderueshme në porte, mund të ndikohet çmimi dhe disponueshmëria e disa ushqimeve.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime për mungesat e mundshme të ilaçeve.
Qytetarët e BE-së në Mbretërinë e Bashkuar mund të bëjnë kërkesë për statusin e rezidentit, duke i lejuar ata të qëndrojnë edhe në rast të daljes pa marrëveshje.
Mërgimtarët anglezë në BE këshillohen të regjistrohen si banorë të vendit ku ata jetojnë, megjithëse asnjë marrëveshje nuk mund ta vështirësonte lëvizjen përtej kufijve.
Udhëtimi me kafshët shtëpiake do të bëhet më i komplikuar dhe i shtrenjtë.
Kartat Europiane të Sigurimeve Shëndetësore (EHIC) do të ishin të pavlefshme pas një Brexit-i pa marrëveshje.
'Skenari i errët'
Shumica e ekonomistëve dhe grupeve të biznesit besojnë se dalja pa marrëveshje do të shkaktonte dëm ekonomik.
Për shembull, Zyra për Përgjegjësi Buxhetore - e cila ofron një analizë të pavarur të financave publike të Mbretërisë së Bashkuar - beson se një dalje pa marrëveshje do të shkaktonte një recesion ekonomik në Mbretërinë e Bashkuar.

Për të qetësuar disa nga ndikimet, qeveria po shikon se çfarë mund të ndodh në një skenar të këtillë të errët. Bëhet fjalë për:
-vonesat në kufi
-kontrollet e shtuara të imigracionit
-më pak ushqim në dispozicion
-rritje të mundshme të çmimeve për shërbimet, ushqimin dhe karburantin
Miliarda paund janë derdhur nga qeveria e Theresa May dhe po vazhdojnë nga Boris Johnson për t’i paraprirë dëmeve që mund të sjellë një skenar i errët i daljes së Britanisë së Madhe nga BE.
Bizneset janë inkurajuar të përgatiten duke grumbulluar mallra stok në rast se furnizimet ndërpriten.

Kur nisi Brexit
Referendumi nëse Britania e Madhe do të mbetet ose do të largohet nga Bashkimi Europian u zhvillua në 23 qershor të vitit 2016.
Votimi rezultoi në 16.1 milionë vota për të qëndruar dhe 17.4 milionë vota për t’u larguar, ose në terma përqindje, 51.8% dhe 48.1%.
Kjo do të thotë se kanë kaluar tre vjet e katër muaj nga referendumi fillestar.
Edhe pse votimi u zhvillua në qershor të 2016-s, u deshën nëntë muaj para se kryeministrja e atëhershme Theresa May të niste procesin e daljes së Mbretërisë së Bashkuar.
Cila ishte data origjinale e Brexit-it?
Fillimisht Britania e Madhe ishte menduar të largohej nga Bashkimi Europian në orën 11:00 në 29 Mars të këtij viti.
Data u vendos për herë të parë, pasi Theresa May nisi procesin e daljes nga BE më 29 Mars 2017. Periudha e negociatave fillimisht ishte menduar të zgjasë për dy vjet, prandaj pritej që më 29 mars të këtij viti Britania të ishte larguar përfundimisht nga unioni.
Sidoqoftë, kjo datë u shty pasi May nuk ishte në gjendje të merrte OK nga parlamenti, për marrëveshjen që ajo me qeverinë e saj kishin përgatitur. Tre herë u refuzua në parlament marrëveshja e May.
Largimi i Mbretërisë së Bashkuar fillimisht u shty me vetëm dy javë deri në 12 prill, për t’i dhënë kohë Theresa May-t që të kalonte marrëveshjen e saj në parlament. Por, edhe kjo përpjekje dështoi, duke detyruar BE-në që do një marrëveshje me mbretërinë që të zgjaste afatin deri më 31 tetor.
Duke qenë se në Britaninë e Madhe palët nuk po ndajnë ende se çfarë marrëveshje duan të mbështesin për t’u ulur në tryezë me BE-në, unioni vendosi të japë një afat të ri.
Zgjatja e re i jep Mbretërisë së Bashkuar kohë deri më 31 janar 2020 për t'u larguar nga BE. Gjithçka për të shmangur një divorc pa marrëveshje.
Përgatiti ©LAPSI.AL