Kryeministri Edi Rama përdori të gjithë “arsenalin” e tij të propagandës për të bindur gazetarët se dështimi për çeljen e negociatave nuk lidhej me reformat e brendshme, por me përplasjet mes anëtarëve të BE-së si Franca apo Gjermania. Në emisionin “Opinion” Rama u kap “mat” kur u transmetua deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron se “kundër Shqipërisë ishin disa vende të BE-së dhe se ai kishte konsideruar të papranueshme që Tirana të ndahej nga Shkupi”.
Në këtë pikë kreu i qeverisë shqiptare pranoi se kishte pasur disa vota “kundër” nesh.
“Nuk ka pasur një shumicë vendesh, por vetëm 2 të tillë, Holanda dhe Danimarka. Asnjë tjetër. Ka pasur një shumicë për hapjen e negociatave pa kushte, një vend kishte një “Po” me kushte, siç ishte Gjermania. Franca ka një pozicion që nuk ka asnjë lidhje me Maqedoninë e veriut apo me Shqipërinë, por ka me qasjen si duhet të vazhdojë zgjerimi” – tha Rama.
Por edhe për Francën u detyrua të dredhojë pasi ia kujtuan se Macron kishte shprehur pakënaqësi për numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria. Ndonëse kreu i Elizesë ishte i qartë për shqetësimin e emigrantëve, Rama thotë se këto janë “bishta” që ai nxjerr për të mashtruar elektoratin e tij.
“Ato bishtat me azil janë për audiencën në Francë. Ka një arsye për azilkërkuesit që nuk janë politikë. Ata nuk kërkojnë dot punë dhe më ndaj kërkojnë azil politik për të përfituar derisa të bëhen dokumentet” – tha Rama.
Rama u vu në pozitë të vështirë edhe kur i nxorën postimet e tij në Twitter të 2 apo 3 viteve më parë se “negociatat ishin hapur”. Në ekran u shfaqën edhe pamjet e ceremonisë së dekorimit të ambasadorëve tanë në disa vende të BE-së një vit më parë me argumentin se u hapën negociatat. Por Rama tha se ashtu i kishte thënë Këshilli Europian dhe se e kishin gënjyer duke mos i kursyer sërish akuzat për ndërkombëtarët.
“Ky tweet dhe kjo është bërë pas Këshillit Evropian që 72 orë para deklaratës sime ka marrë vendimin për të çelur rrugën e negociatave. Këtu ka ardhur edhe komisioneri për zgjerim. Edhe Maqedonisë së Veriut i është dhënë në dorë instrumenti që kanë përdorur të gjithë vendet pas hapjes së negociatave. Na gënjyen? Nuk kam ardhur këtu për këtë, por Këshilli nuk u ka qëndruar angazhimeve të tij 2 herë, jo vetëm një herë” – tha Rama.
Pas dështimit për hapjen e negociatave, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se nuk do të jepte dorëheqjen si homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
“Në rastin e Zaevit është komplet gjë tjetër dhe në atë rast çdo kush tjetër do bënte të njëjtën gjë për një arsye tjetër, sepse Zaevi ka kërkuar ndërrimin e emrit, e emrit të vendit e kupton çdo të thotë të ndërrosh emrin e vendit?” – përsëriti Rama refrenin që përsërit prej javës së kaluar. ©LAPSI.al