Flash

Zvërneci shitet për 306 mijë euro

Kontrata e shitjes së aksioneve zbulon se kompania që zotëron lejen e zhvillimit për resortin luksoz në bregdetin e Vlorës ndryshoi pronarë përmes një marrëveshjeje offshore mes Holandës dhe Katarit.

14:42

Tony Awards 2026: Lista e fituesve

Ceremonia e 79-të e Tony Awards u rikthye në Radio City Music Hall, ku këngëtarja Pink bëri debutimin e saj si prezantuese në mbr...

14:43

Tre kamionistë si pamundësi e një "Shengeni Ballkanik'

Lapsi.al 18 October 2019
Tre kamionistë si pamundësi e një "Shengeni Ballkanik'

Në mungesë të energjisë dhe ideve politike në Evropë karshi Ballkanit dhe posaçërisht në mungesë të vullnetit politik për ta integruar këtë regjion në BE në një afat më të përafërt, alternativa e krijimit të një hapësire të katër lirive në Ballkanin Perëndimor ka disa benefite, në radhë të parë politike dhe ato kanë një emërtues të përbashkët: ndeshje me realitetin.

1.

Në vitin 2021 tre kamionistë do ta dëshmojnë nivelin bazik të lirive në Ballkanin Perëndimor. Njëri do të hyjë në Serbi nga Hungaria, me destinacion final Gjirokastrën. I dyti do të hyjë në portin e Durrësit nga Italia, me destinacion të fundit qytetin Bijelina në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe i treti do të hyjë në Maqedoninë Veriore nga Greqia, me destinacion të fundit qytetin Nikshiq të Malit të Zi. Që të tre kamionistët, duke hyrë me letërnjoftim - me kusht që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit - nuk do të ndalen nga asnjë zyrtar i cilitdo shteti nëpër të cilin kalojnë (Serbi, Shqipëri, Maqedoni Veriore, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi) deri në destinacionin final. Nuk do të ndalen, pra, në dogana, sepse të këtilla nuk do të ketë, dhe nuk do të ndalen, pra as në vendkalime kufitare, sepse ato do të jenë më shumë punkte kontrolluese policore të trafikut rrugor, sesa vendhyrje statike kufitare çfarë janë tani.

Një ardhmëri të këtillë krejtësisht të afërt, që duhet të ndodhë brenda dy vjetësh, premtuan presidenti i Serbisë, Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Rama, dhe ai i Maqedonisë, Zaev. Të tre përsëritën një shifër që e kishin dëgjuar ritualisht në takimet e Procesit të Berlinit nga zyrtarët e Bankës Botërore, se vendet e Ballkanit Perëndimor i detyrojnë kamionistët që për çdo vit të humbasin 26 milionë orë pritje nëpër vendkalimet kufitare. Dhe, nënshkruan deklaratën për të vendosur atë që në mënyrë popullore quajtën “mini-Shengen” ballkanik, e që në fakt është synim që të krijohet një treg i përbashkët 20-milionësh i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë treg të përbashkët nuk do të lëviznin lirisht vetëm tre kamionistët e përmendur. Duke u mbështetur tek katër liritë evropiane që përbëjnë kurrizin themelues të BE-së (të qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave) një i papunë nga Podujeva do të punojë lirisht në Mostar, një e papunë nga Sombori në Vlorë dhe një e papunë nga Prilepi do të punësohet legalisht në Herceg-Novi. Ndërkohë, ndërmarrësit kosovarë do ta blejnë kombinatin e qumështit në Suboticë, investitorët nga Beogradi do të investojnë në mermerin kosovar dhe ata maqedonas do ta blejnë verarinë e Hercegovinës.

2.

Nga perspektiva e sotme, nënshkrimi i tre liderëve më shumë se projektim i mirëmbështetur i ardhmërisë mund të quhet fantashkencë.

Në mënyrë që të tre kamionistët të realizojnë udhëtimin e tyre të papenguar, që të papunët e përshkruar të punojnë me dokumentacion të rregullt brenda hapësirës 6BP (Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor) dhe që ndërmarrësit të investojnë me siguri të plotë në shtetet e këtij regjioni, duhet të ndodhin së paku këto ndryshime thelbësore.

Një, të bëhet unifikimi i sistemit doganor (deri në Union), në atë mënyrë që Serbia ta konsiderojë si pikë të veten doganore Durrësin, Maqedonia Veriore Bosanski Brodin dhe Kosova atë afër Herceg-Novit në kufirin Kroaci-Mal të Zi.

Dy, ky unifikim në trajtimin e mallrave të vlejë për trajtimin e hyrjeve të njerëzve, pra që hyrja në vendkalimin Horgosh, që ndan Hungarinë e Serbinë, të jetë hyrja e vetme kontrolli për qytetarin e Tepelenës, ashtu siç është kur hyn nga Kakavia prej Greqisë. Ose, që qytetari i Suharekës ta prezantojë letërnjoftimin e tij në Bosanski Brod, duke hyrë nga Kroacia dhe që kjo të jetë pika e vetme kontrolli deri sa të mbërrijë në shtëpi.

Tre, barasvlefshmëri të sistemeve juridike në mënyrë që leja e punës e muratorit të Malishevës në Novi-Sad, e mësueses të Uzhicës të punësuar në Gjilan dhe e elektricistit të Manastirit të punësuar në Podgoricë, të nënkuptojë edhe sigurimin social dhe atë pensional, të pranueshëm nga vendi i prejardhjes dhe nga vendi i punësimit.

3.

Realizimi i vetëm këtyre tri pikave nënkupton së paku dy kapërcime konceptuale. Një, se kemi të bëjmë me gjashtë vende që e respektojnë njëra-tjetrën si të barabarta, kanë një nivel të përafërt vlerash e qëndrimesh dhe synimesh, të mbështetura në një nivel krahasimisht të përafërt zhvillimi socio-ekonomik. Dhe dy, se këto shtete janë të gatshme për ndërtim të institucioneve të përbashkëta që do të rregullojnë hapësirën e “katër lirive” ballkanike.

Por, siç është evidente, nuk kemi të bëjmë me vende të barabarta. Serbia nuk e njeh Kosovën si të tillë e rrjedhimisht nuk e bën (për shkak të Republikës Serbe) as Bosnjë-Hercegovina. Për më tepër, nuk kemi të bëjmë me nivel të përafërt vlerash e synimesh të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova, një shtet i kapur, ende jeton me konflikt të papërfunduar me Serbinë, në të cilën ende ekziston narracioni publik e institucional që çoi në okupimin e Kosovës më 1989, aparteidin e vendosur atëherë dhe tentimin për gjenocid më 1999. Bosnjë-Hercegovina ende funksionon në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi (Dayton) e jo një sistemi kushtetues-juridik të vetin.

Dhe, vijimisht, është vështirë të paramendohet në ardhmërinë kaq të afërt (2021) se si baza e shënimeve të policive të gjashtë vendeve përbashkohet në një apo se ministritë e gjashtë shteteve vendosin një institucion koordinues. Nëse Serbia angazhohet që Kosova të mos jetë pjesë e përbashkësisë institucionale të policive në Interpol – pra të mos ndajë shënime me Argjentinën, Korenë Jugore dhe Tunizinë - si mund të angazhohet për përbashkësi institucionale të policive në nivel të 6BP?

Për më tepër, si do të zgjidhet lëmshi i marrëveshjeve për tregti të lirë? Sot shtetet e 6BP janë formalisht në një hapësirë të tregtisë së lirë me Moldavinë në CEFTA. Pastaj, çdo njëra ka marrëveshje me BE-në e gjatë këtij muaji Serbia bëhet pjesë edhe e Unionit Ekonomik Euro-Aziatik. A do të konsiderohet malli i Uzbekistanit që hyn lirisht në Serbi më 2021 mall që hyn lirisht edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

4.

Nuk besoj se tre kamionistët e këtij rrëfimi do të kenë sukses më 2021. Ata do të jenë pjesë e humbjes së mëtejme të 26 milionë orëve në vit nëpër kalime kufitare, sepse këto kalime kufitare janë indikatorë të gjendjes së shteteve, si dhe marrëdhënieve mes shteteve e popujve e ato nuk janë të mira.

Por, megjithëkëtë, mendoj se nuk është një iniciativë që do hedhur apo ndalur. Në fakt, në mungesë të energjisë dhe ideve politike në Evropë karshi Ballkanit dhe posaçërisht në mungesë të vullnetit politik për ta integruar këtë regjion në BE në një afat më të përafërt, alternativa e krijimit të një hapësire të katër lirive në Ballkanin Perëndimor ka disa benefite, në radhë të parë politike dhe ato kanë një emërtues të përbashkët: ndeshje me realitetin. Realitet është se integrimi në BE nuk është fare i afërt për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe realitet është se ato janë të detyruara të bashkëpunojnë edhe pa e pasur fare perspektivën e integrimit evropian.

Qeveria e re e Kosovës do të përputhet me lindjen e një politike të re, që mund të ndikojë edhe në “dialogun”. Më saktësisht, në formulën si të rregullohen marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë brenda kontekstit të katër lirive evropiane në Ballkan.

© KOHA DITORE

Të këshilluara

Rama ka të drejtë të festojë edhe sot

Dështimi i Shqipërisë për të hapur negociatat me BE mund të konsiderohet si një sukses i qeverisë për të shmangur skenarin më të keq, atë të ndarjes nga Maqedon...

09:36

Triumfi i Albinit, një leksion edhe për ne

Fitorja sfiduese e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka një rëndësi shumë më të madhe sesa ajo e çlirimit të Kosovës nga kapësit e shtetit. Në një rajon si ...

12:47

Rama, kirurgu estetik i oligarkëve

Edi Rama mblodhi në pallatin mbretëror “aristokracinë” e biznesit shqiptar në një përpjekje të dëshpëruar për të retushuar imazhin e saj në publik. Kryeministri...

13:19

Meta po kërkon të "shpëtojë" dhe Venecian

Ilir Meta ka shpallur disa herë vetveten të vetmin mbrojtës dhe interpretues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Epitetin e parë ia ka mveshur vetvetes ...

10:10

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI

Tony Awards 2026: Lista e fituesve

Ceremonia e 79-të e Tony Awards u rikthye në Radio City Music Hall, ku këngëtarja Pink bëri debutimin e saj si prezantuese në mbr...

14:43