Të gjithë reporterët, që kanë ndjekur procesin Tahiri, e thonë me gojën plot se ai e fitoi duelin me prokurorët që u sollën në sallë si memecë dhe të paaftë profesionalisht. Natyrisht që institucioni i akuzës nuk ka qenë në pozita të favorshme për ta hetuar këtë çështje. Në fillim ata u penguan nga mosheqja e imunitetit parlamentar nga kolegët socialistë të Tahirit. Pastaj ata që ngritën akuzën fillestare u vunë nën presionin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama. Më pas kryeprokurorja e përkohëshme u zgjodh me votat e PS. Por pavarësisht të gjitha këtyre, faktet janë fakte dhe provat prova. Dhe prokuroria pati shumë vështirësi për të vërtetuar pjesmarrjen e ish ministrit më të sukseshsëm të rilindjes, në organigramën e një grupi të strukturuar kriminal.
Pikërisht për këtë, në emër të drejtësisë dhe të së vërtetës, pavarësisht se gjatë të gjithë kohës Lapsi.al ka mbajtur një qëndrim të ashpër kritik ndaj rastit Tahiri, ne po sjellim sot argumentat e tij të mbrojtjes në proces, duke i krahasuar ato me akuzat. Natyrisht sa do të lexoni më poshtë nuk është e vërteta absolute e një vendi që u mbush me kanabis, gjatë mbretërimit të çiftit Rama- Tahiri, as e vërteta e plotë që duhet të qe e ndryshme pas denoncimit të policit Dritan Zagani (pavarësisht fakteve tronditëse që ai publikoi, kushërinjve të Tahirit, Habilajve, nuk u hyri gjemb në këmbë. Por ajo është e vërteta e pjesshme e asaj që ndodhi në gjykatë sipas akuzave të prokurorisë dhe mbrojtjes që ka bërë Tahiri.
Jo grup i stukturuar kriminal
Akuza: Vëllezërit Habilaj së bashku me Tahirin dhe dy vartësit e tij Jaeld Çela dhe Gjergji Kohila janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kanë ndihmuar vëllezërit Moisi e Florian Habilaj të trafikonin drogë në Italinë fqinje. Prokuroria tregon katër episode të trafikut të kanabisit, mes vjeshtës së vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.
Mbrojtja e Tahirit: Bie akuza për grup të strukturuar kriminal sepse në rastet që pretendon prokuroria dy policët vartës së tij nuk ishin me punë në Vlorë. Çela ishte emëruar aty pak para episodit të katërt, ndërsa Kohila pas tij, pretendon Tahiri.
I Kemi përndjekur Habilajt
Akuza: Tahiri dhe vartësit e tij i kanë ndihmuar Habilajt në ushtrimin e trafikut të tyre
Mbrojtja e Tahirit: Sipas Tahirit oficerët e policisë të cilët akuzohen bashkë me të, i kishin denoncuar vëllezërit Habilaj në Prokurorinë e Vlorës dhe në një rast tek prokurori Dritan Prençi. “Ne duhet të jemi një grup i çuditshëm që punojmë si t’ia fusim njëri- tjetrit”, ka ironizuar ai në sallën e gjyqit. Tahiri sjell si argument tre raste që sipas tij vëllezërit ishin ndaluar në kufi për kontroll të imtësishëm nga policia. “Nëse ata do ishin të mbrojtur nga ministri kush do guxonte t’i ndalonte për kontroll të imtësishëm”, është mbrojtja e tij.
“Nuk jam shefi i madh”
Akuza: Trafikantët kanë dalë në përgjime duke e thërritur Tahirin shefi i madh.
Mbrojtja e Tahirit: Tahiri pretendon se kishte qenë në Bruksel në konferencë me komisionerin e zgjerimit, në të njëjtën datë që trafikanët mendohej se kishin komunikuar me të. “Në këtë rast shefi i madh mund të ishte dikush mes meje, Klajda Gjoshës dhe komisionerit për zgjerim Stefan Füle” ka thënë me ironi ai.
Hapja e librit të ministrisë
Akuza: Në një nga përgjimet trafikantët dëgjohen të thonë: “jemi me shefin e madh”.
Mbrojtja e Tahirit:Tahiri ka treguar regjistrin e hyrje- daljeve në ministri po të njëtën ditë, duke pretenduar se kishte qenë gjatë gjithë kohës në takime me krerë të tjerë të vendit për shkak të situatës emergjente të krijuar nga arratisja e disa të dënuarve në burgun e Drenovës.
Kostumet dhe bizhuteritë
Akuza: Trafikantët i kanë blërë kostume Tahirit, bizhuteri gruas dhe nënës së tij
Mbrojtja e Tahirit: Sipas Tahirit nuk është gjetuar asnjë provë për këtë. Edhe në Siçili nuk ka gjurmë të dyqaneve ku janë blerë bizhuteritë dhe kostumet. As në kontrollin e banesës nuk u gjendën gjurmë të tyre. Madje Tahiri ka ironizuar prokurorët: “Ju nuk shkuat të kontrollonit as shtëpinë e sime mëje për të vërtetuar akuzën tuaj".
©Lapsi.al