Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ftoi palët politike në Shqipëri të ulen në tryezën e bisedimeve për gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza politike dhe institucionale.
Afrimi i tetorit, kur Këshilli Europian do të marrë vendimin për Shqipërinë lidhur me negociatat e anëtarësimit, ka shtuar thirrjet e BE për uljen e palëve në tryezën e bisedimeve dhe gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza politike dhe institucionale, që vazhdon prej 7 muajsh. Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ftoi të premten, (13.09.2019), partitë politike të ulen në dialog për të arritur këtë qëllim dhe shtuar shanset e një vendimi pozitiv nga Brukseli.
“Kontaktet mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë duhet të vazhdojnë në 5 javët në vijim përpara takimit të Brukselit”, tha Soreca të premten pas nënshkrimit me qeverinë Rama të Marrëveshjes financiare IPA (Instrumenti i Para Anëtarësimit). Soreca sugjeroi reformën zgjedhore si shtysë për të nisur dialogun me opozitën jashtë parlamentit, të cilën e quajti “diçka specifike”.
Reforma zgjedhore – reformë tjetër kyç për Shqipërinë
“Reforma zgjedhore është e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë që i përkasin gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare dëshirojnë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Prandaj të gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog”, argumentoi Soreca.
Presidenti Meta, fati politik i të cilit do të varet nga opinioni i Komisionit të Venecias, në fillim të tetorit, nëse ka kryer apo jo veprim anti-kushtetues lidhur me dekretet e tij që shfuqizuan datën 30 qershor si datën e Lokaleve 2019 dhe dekretuan 13 tetorin, është po kaq i ashpër në kritikat ndaj qeverisjes Rama. Sipas tij dalja nga kriza e thellë politike edhe institucionale do të vijë përmes betejës së gjithë shqiptarëve “për të çmontuar shtetin e propagandës, të gënjeshtrës që po i merr shpirtin shtetit të së drejtës”, tha ai të premten në mbrëmje, (13.09) i ftuar në një televizion lokal.
Refuzimi i deritanishëm i dialogut dhe rifillimi i protestave e vendos PD përballë situatash të vështira. Gjasat që t’ia dalë mbanë me protestat e vjeshtës të rrëzojë Ramën janë të pakta. Në protestat kombëtare shkurt-qershor ajo nuk e arriti këtë synim, po ashtu edhe Lokalet 2019 më 30 qershor u zhvilluan. PD ka përballë opozitën e re parlamentare, të gatshme të bashkëpunojë me maxhorancën socialiste për reformën zgjedhore. Qëndrimi jashtë sistemit mbart rreziqe për ekzistencën e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri. Lidershipi i saj është i vetëdijshëm për këtë rrezik dhe tani për tani duket i mbetur pezull në zgjedhjen politike: protesta apo dialog dhe marrëveshje me Ramën./DW


