Flash

Polemika/ A po e përbalt edhe Rama njësoj si Berisha luftën partizane?

Lapsi.al 8 August 2019
Polemika/ A po e përbalt edhe Rama njësoj si Berisha luftën

Gazeta e majtë “Dita” po provokon prej disa ditësh një debat, të shpërthyer fillimisht në rrjetet akademike, lidhur me revizionimin e luftës Nacional Çlirimtare dhe rolit të Shqipërisë gjatë konfliktit të dytë botëror. Provokimi i gazetës ka mbërritur kulmin këtë të enjte, kur në ballinë të saj është vendosur një karikaturë e Sali Berishës dhe Edi Ramës, të cilët me krahët e tyre formëzojnë kryqin e thyer nazist.

Shkak për këtë është bërë shpallja në muajin maj nga qeveria Rama, e komisionit zyrtar që do të merret me organizimin e përkujtimit të 75 vjetorit të çlirimit.

Në këtë kuadër edhe Akademia e Shkencave ka planifikuar mbajtjen e një konference e cila nga kritikët e saj po shihet si një revansh i atyre që kërkojnë rehabilitimin e kolaboracionistëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit, ose i atyre që e kanë etiketuar luftën si masakër komuniste dhe çlirimin e Shqipërisë si pushtim komunist.

Shkak për këtë është bërë udhëzimi për debatet e këtij aktiviteti shkencor që mëtojnë të përqëndrohen tek “antifashizmi pa armë dhe pa uniformë”.

“Të përqendrohet në mënyrë të veçantë interesimi shkencor tek ajo pjesë e rezistencës antifashiste prej popullit shqiptar, që ka të bëjë me vullnetarizmin, me antifashizmin pa uniformë… Rezistenca e paarmatosur në studimet historiografike është paraqitur në formën e frazave stereotipe dhe pa shqyrtime të thelluara shkencore. Përmasat e rezistencës pa armë janë shumë më të mëdha dhe Evropa e sotme antifashiste i ka drejtuar sytë pikërisht tek antifashizmi popullor”, thuhet në dokumentet e konferencës, ku propozohet edhe një rishikimi i termave dëshmor, martir, viktimë… etj

Por, ndaj këtij koncepti ka reaguar me forcë prof Paskal Milo. Një një letër drejtuar gazetës Dita (lexoje te plote ketu), ai shkruan: “I mbiquajtur me tre epitete: “antifashizëm popullor”, ” antifashizëm pa armë” dhe “antifashizëm pa uniformë” , ai po shitet si një qasje e re gjoja evropiane, por në fakt është një përpjekje tinëzare për të futur nga dritarja një tezë të vjetër, të paktën disa vjeçare, që ka qarkulluar në mjedise akademike e mediatike në Tiranë”. Dhe sipas tij kjo tezë mëton te tregojë se ka ekzistuar mes bashkëpunëtorëve të pushtuesve dhe partizanëve “një zonë shumë e gjerë gri” që pushtimin fashist të Shqipërisë e priti “në heshtje dhe pasivitet… duke u kujdesur para së gjithash për ruajtjen e familjeve, pronave të veta dhe zakoneve tradicionale… ishin armiqësorë ndaj fashistëve italianë, ashtu në heshtjen e tyre dhe në dyfaqësinë e tyre”.

Këtë ide që Milo e hedh poshtë duke e kritikuar se tenton të barazojë ata që dhanë jetën kundër nazi- fashizmit me ata që bashkëpunuan apo ndejtën pasivë, e ka sulmuar edhe historiani tjetër Pëllumb Xhufi: “Lufta e Dytë Botërore, ashtu si kudo, edhe në Shqipëri i ndau njerëzit në antifashistë e kolaboracionistë. Nuk pati e nuk mund të kishte vend për “të paangazhuarit”, shkruan Xhufi duke e mbështetur këtë me bindjen se “Lufta II Botërore ishte lufta më gjithëpërfshirëse që ka njohur historia(Intervista e plote e Xhufit).

Por, përpos debatit historik, kritikët i ka shqetësuar edhe fakti që këto teza revizionuese po hidhen në kohën që në Shqipëri sundon një shumicë e majtë, që logjikisht quhet si trashëgimtare e luftës. Prof Milo, i cili e akuzon PS se është përshtatur me këto teza ngre pyetjen: “Si është e mundur që ata pajtohen e nuk revoltohen me një masakrim të tillë që po i bëhet LANCL, që është gur themeli i partisë së tyre”? Ndërsa Pëllumb Xhufi është më i rezervuar në akuza konkrete po e shpjegon këtë që po ndodh me një ndikim të ndërsjelltë: “Më shumë, nisur nga qëndrimet e mëparshme të liderit socialist, gjej arsye të supozoj, që dikush në Akademinë e Shkencave, dikush nga ata që ka ngjitur shkallët e karrierës me lëpirje, ka menduar se duke e zhveshur Luftën Antifashiste nga tharmi i saj luftarak e duke e efeminizuar atë, do t’i bëjë qejfin si opozitës, ashtu edhe kryeministrit ekstravagant të socialistëve”.

Lexo me tej:

Andi Bushati: Arkivoli i Mithat Frasherit, aty ku Rama varrosi te majten

Formalisht qeveria rilindëse i ka mohuar këto aludime. Me gojën e zv kryeministrit Erion Braçe, që është njëkohësisht edhe kreu i komisionit të 75 vjetorit të çlirimit ka deklaruar: “Qeveria, Partia Socialiste jo e jo, nuk i ka kërkuar, nuk ka urdhëruar, nuk ka vendosur asgjë mbi një konferencë të Akademisë së Shkencave për “Antifashizmin pa uniformë”.

Por këto nuk janë gjëra që bëhen me dekret. Qëndrimi i Ramës në rini se në Shqipëri është zhvilluar luftë civile, që komunistët të vinin në pushtet, është i njohur. Po ashtu dhe injoranca prej dendy për të nderuar kreun kolaboracionist të Ballit Kombëtar, Mithat Frashërin, është e freskët në kujtesë. Prandaj me të drejtë shumë nga mbrojtësit e majtë të luftës kanë ngritur pyetjen: A mos vallë edhe Rama njësoj si Berisha dikur, është angazhuar për përbaltjen e saj?

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

93.72

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Besa e Edi Ramës dhe pengmarrja e Aeroportit të Vlorës

Nëse “Besa” e Edi Ramës do të ishte standardi i qeverisjes, saga e Aeroportit të Vlorës është shembulli se si shteti mund ta thyejë atë përmes vendimeve kontradiktore, pasigurisë ligjore dhe përdorimit selektiv të pushtetit.

15:40

Me sytë katër

PAPARAZZI