Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përsëritur nga takimi me strukturat e demokratëve në Korçë, vendosmërinë për zgjidhjen e krizës politike në sajë të zgjedhjeve të parakohshme, duke përjashtuar mundësinë e “pazareve” me kryeministrin Edi Rama.
Bash ka theksuar se kushtet e panegociueshme të aksionit opozitar janë largimi i Ramës, krijimi i një qeverie tranzitore, përballja me drejtësinë e vjedhësve të votive dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me ato vendore, sipas dekretit të presidentit të Republikës, Ilir Meta.
“Kërkesat tona janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje legjitime vendore të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore dhe çuarja para drejtësisë e gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve”- tha Basha, i cili kujtoi shkeljet kryesore të konstatuara nga raporti i OSBE-ODIHR, që sipas tij e bënë procesin të pavlefshëm dhe kriminal.
- Procesi i votimit pa dekret
- Mohimi i të drejtës së opozitës për të patur përfaqësuesit në proces
- Votimi me 1 kandidat,
- Regjistrimi i patericave të pushtetit në mënyrë të paligjshme
Duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë tek Rama, si fajtori kryesor për krizën ekonomike e sociale të vendit, Basha tha se PD ka gati planin dhe programin për të kthyer besimin e shqiptarëve tek qeverisja. “Askush që ka grabitur miliona dhe dhunuar e vjedhur shqiptarët e pasuritë e tyre publike, asnjë pushtetar që bashkëpunoi me krimin për të vjedhur zgjedhjet e 2017, nga Dako e Gjiknuri, tek Balla e Rama nuk do të shpëtojë pa dalë para drejtësisë së pavarur. Pushtetarët e korruptuar në pranga janë fillimi i Shqipërisë si gjithë Europa”- u shpreh lideri i opozitës.