Ashtu sikurse u paralajmërua pasditen e djeshme, në ambientet e Presidencës u mbajt konferenca e jashtëzakonshme për shtyp, ku u theksua thirrja e bërë mëngjesin e sotëm nga kreu i shtetit, Ilir Meta, drejtuar krerëve të mazhorancës për mbajtjen e zgjedhjeve urgjente, në paraprirje të vendimit të Këshillit Evropian për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Zëdhënësi Tedi Blushi, pas rileximit të mesazhit të publikuar nga presidenti në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, njoftoi se në ushtrim të kompetencave të tij, Meta ka dekretuar ligjin për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësi”, që i hap rrugë plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuesem duke theksuar se ky është një proces i vonuar.
“Edhe pse kuvendi ka vlerësuar dhe realizuar ndryshimet e domosdoshme por në një kohë shumë të vonuar, presidenti i mirëpret ato dhe miraton ligjin pa asnjë vonesë duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit dhe funksikonit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, tha Blushi.
Më tej në deklaratë, Blushi u shpreh se që prej marrjes së detyrës në korrikun e vitit 2017, presidenti ka marrë në shqyrtim 193 ligje, nga të cilat ka dekretuar 156 ligje. Ndërsa në pjesën e mbetur, ka kthyer 14 ligje, ka lënë në heshtje 16 të tilla dhe ka aktualisht në shqyrtim 7 të tjera.
Deklarata u përmbyll me një paralajmërim të koduar për qeverinë, duke nënvizuar se presidenti nuk do të dekretojë asnjë ligj që nuk është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.