Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përsëritur nga takimi me strukturat e demokratëve në Prrenjas, se largimi i kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie tranzitore dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, janë kushtet e panegociueshme të aksionit opozitar.
Duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë tek Rama, si fajtori kryesor për krizën ekonomike e sociale të vendit, Basha tha se PD ka gati planin dhe programin për të kthyer besimin e shqiptarëve tek qeverisja.
“Bashkë me 85% të shqiptarëve që duan ndryshim, do ta largojmë këtë bandë. Vendi i tyre është para drejtësisë me pranga në duar, nga i pari tek i fundit. Fundi i pandëshkueshmërisë së pushtetarëve të korruptuar e të lidhur me krimin është fillimi i Shqipërisë si gjithë Europa” – deklaroi lideri i opozitës.
Shefi i opozitës nënvizoi se zgjedhjet “farsë” të 30 qershorit janë nul dhe përsëriti se PD-ja dhe partitë e tjera të opozitës së bashkuar joparlamentare, do të vijojnë me rezistencën për të mos liruar zyrat e Bashkive të drejtuara nga kryebashkiakët e djathtë.
“Ne do të qendrojmë së bashku, me të gjitha format dhe mënyrat, në krah të qytetarëve, për të kundërshtuar me të gjitha format dhe mënyrat uzurpimin e dhunshëm të pushtetit vendor. Ne nuk pranojmë kurrë këtë uzurpim antikushtetues dhe antiligjor. Aty ku pushteti i paligjshëm, i lindur nga vota e blerë me paratë e drogës dhe të krimit, përpiqet të uzurpojë pushtetin e ligjshëm, pushtetin legjitim të qytetarëve, aty, çdo lloj forme rezistence është legjitime, është e përligjur, dhe ne jo vetëm nuk do ta frenojmë, por do ta inkurajojmë”,- tha Basha.
Kryedemokrati rikonfirmoi objektivin e opozitës që zgjedhjet parlamentare të parakoëshme të zhvillohen në një ditë me zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor, ashtu sikurse ka propozuar edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta.
“Jemi të vendosur që shumicën “Rama ik” të 30 qershorit ta kthejmë në forcën e ndryshimit që kërkon çdo shqiptar, që do t’i japë fund braktisjes së vendit për t’u larguar në emigracion, politikave të shpunësimit, shkatërrimit të ekonomisë. Ne do të mundësojmë hapjen e mijëra vende pune në sektorë të pashfrytëzuar deri më sot, me paga dinjitoze për rininë shqiptare dhe zhvillimin ekonomik.”- është shprehur Basha.