Komisioneri për politikën e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë së Mirë në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, ka deklaruar se situata e përgjithshme politike në Shqipëri do të ndikojë në marrjen e vendimit mbi çeljen ose jo të negaciatave të anëtarësimit.
“Për Shqipërinë për fat të keq, problemet janë tani në plan të parë, të tilla si bojkoti i opozitës, qeveria ka vështirësi në mbajtjen e një dialogu, por edhe debati me Presidentin.
Ne kemi bërë një rekomandim, por vendet anëtare të BE-së vlerësojnë gjithashtu situatën e përgjithshme politike në shtet.”- vëren Hahn në një intervistë për mediet austriake.
Hahn ka folur mbi shanset që ka Shqipëria për të arritur nisjen e bisedimeve, ndërsa ka komentuar edhe debatin për Reformën në Drejtësi. Sipas tij, është e padrejtë që të hedhësh akuza për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi “drejtësia e re” ka dhënë rezultate përmes prcesit të vetting-ut me largimin e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar.
“Shqipëria ka bërë përparim të mirë këtu. Të akuzosh për shembull se nuk po punon Gjykata Kushtetuese është e padrejtë, sepse kjo tregon vetëm sesa e suksesshme ka qenë puna e komisionit të ngritur për të larguar prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar nga sistemi”, ka thënë Hahn, duke iu përgjigjur tërthorazi edhe presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili në daljet e tij të fundit publike, e ka etiketuar Reformën në Drejtësi si “Ramaformë” dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për mungesëne e Kushtetueses.
Në përmbyllje të intervistës, Hahn kujton se vendimi në lidhje me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të merret në muajin tetor, nga krerët e shteteve dhe të qeverive të 27 vendet anëtare të Unionit, të mbledhur në Këshillin Evropian.