Kryeministri Edi Rama i ka përcjellë një mesazh kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha, teksa ka folur nga Forumi Convoco, në Salzburg, për thyerjen e kërpudhës para godinës së Kryeministrisë nga protestuesit e opozitës.
Rama ka zbuluar bisedën telefonike me artistin Carsten Höller pas thyerjes së kërpudhës, duke u shprehur se ai i ka propozuar që kërpudha të rikthehej në po të njëjtin vend, por 25% më e lartë se më parë.
“Para se të bëhesha kryeministër, gjithmonë thoja: “Nëse bëhem ndonjëherë kryeministër, kjo ndërtesa nuk do ketë gardhe”, sepse ishte e rrethuar, dukej si burg, me gardh me ushtarë. Gjithmonë kam besuar se ndërtesat mbrohen me anë të bukurisë, jo gardheve.
Hoqa gardhin dhe e hapa tërë katin e parë për popullin, e u bë ajo që sot është COD-i, kemi ekspozita, bibliotekë publike, një sallë të vogël kinemaje ku fëmijët mund të vijnë, të shohin filmat e tyre, të diskutojnë, zhvillojmë edhe diskutime aty.
Kam thënë që edhe protestuesit mund të vijnë ta përdorin atë pjesë falas, për të shtruar çështjen e tyre, e nëse duan, unë mund të shkoj, apo ministrat, për të folur me ta. Por protestuesit kanë një problem me diskutimin, sepse nëse debatojnë, nuk janë më protestues. Nuk është e thjeshtë, por është aty edhe për këtë qëllim. Por kërpudha e Carsten Höller që ishte në kopsht nuk i mbijetoi sulmit të protestuesve, sepse e thyen.
E thyen dhe ishte e trishtë, por ishte edhe e vështirë t’i shpjegoje Carsten që nuk ishte një protestë estetike, ishte politike. Ishte kundër meje, jo kundër kërpudhës. Nuk më kapën dot mua dhe kapën kërpudhën. Kërpudha u thye.
Isha shumë i lumtur kur Carsten Höller më mori në telefon pas një muaji dhe më tha: “Kam një ide fantastike”. Sepse i thashë “duhet ta bëjmë prapë”.
“Do e bëjmë prapë, por duhet ta ngremë 25% më lart, që kushdo që e prek ta dijë se do kthehet më e lartë. Kjo do i pengojë njerëzit që ta prishin kërpudhën, por nëse ia dalin, kërpudha do rritet”.
Më duket shumë e bukur, të mbijetosh me rritje e të reagosh duke u rikthyer, mezi pres kërpudhën që do jetë më e madhe tani, gjë që mund të nxisë protesta të tjera, por pastaj do e zmadhojmë më shumë, sepse jeta vazhdon”- tha Rama.