Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sapo ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur antikushtetues ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Në një dalje publike për mediat, Meta është shprehur se shembja e Teatrit është në dhunim të akteve dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Edhe pse prej kohësh “Kushtetuesja” është jashtë funksionit, kreu i shtetit siguron se drejtësia shqiptare do të veprojë, “edhe ndaj atyre ndërkombëtarëve që e kanë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese”.
“Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka akti im sot, i cili është në sinkron me qëndrimet e mia sistematike në raport me Kuvendin dhe me qeverinë, për këtë proces kriminal, në kapje flagrante të ligjit.
Në dhunim të akteve dhe të marrëveshjeve ndërkombëtarë, Teatri Kombëtar është një kryevepër, dhe mbi të po kryhet një krim kombëtar dhe kulturor, e gjitha kjo për atë ‘’rule oligarks’.
Dua ti siguroj të gjithë se kam ardhur sot këtu, se Shqipëria do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe sundimit të popullit, boll më me sundimin e oligarkëve. Dua ti siguroj të gjithë se drejtësia shqiptare do të veprojë, edhe ndaj atyre ndërkombëtarëve që e kanë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese.
Nuk jemi rastësisht pa Gjykatë Kushtetuese, dhe për këtë nuk e ka fajin Reforma, ajo që u votua me 140 vota, nuk e linte vendin pa gjykatë, është ajo që unë e kam quajtur Ramaforma”, tha Meta.
Gjatë fjalës së tij, Meta ka dhënë një përgjigje të tërthortë ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili reagoi lidhur me zhvillimet e ditës së sotme duke shkruar në “Tëitter” se “Teatri i ri do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse”, pavarësisht çdo qëndrese. “Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si president, të coj para ligjit rilindasit shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë, që kanë deformuar Reformën në Drejtësi, në interes të oligarkëve”, tha Meta më tej.