Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Seanca kur do të jepet pretenca e prokurorisë ndaj Tahirit u caktua më datë 10 Shtator në orën 13:00.
Gjatë seancës së ditës së sotme, ish-ministri ka kërkoi me këmbëngulje që pretenca për të të jepej para pushimeve të muajit gusht, po kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga trupa gjykuese.
"U bënë dy vjet, edhe shtyrja është e tepërt, me pretendimin se është para Gushtit që janë pushimet për mua është e tepërt. Unë kërkoja që vendimi të jepej tani, ju nuk u lodhët dy vite me këtë histori? Unë jam i gatshëm që të bëj mbrojtjen time në çdo sekond, pse prokuroria nuk është e gatshmë që të bëj punën e saj?
Pas dy viteve unë shoh që Prokuroria nuk ka shtuar asnjë fërmë më shumë, nga ajo që unë kam parë në muajin Shtator. Shyqyr që u gjetën dokumentat, çtë them unë, të uroj prokurorinë që gjeti dokumentet, dhe do ti duhet që ti përkthejë prapë për shkak se i kanë humbur.
Kur ndodh kjo me mua, merreni e mend se çfarë ndodh me njerëzit, që nuk kanë mundësi të dëgjohen. Nuk shkova unë në vjeshtë, shkoi prokuroria, unë nuk jam mësuar që të shkoj në vjeshtë. Historia e vendit tonë ka nisur me burra me mustaqe dhe ka përfunduar me burra me botoks", tha Tahiri në një prononcim për mediat.
Më datë 17 korrik, gjyqi në ngarkim të Tahirit u shty për herë të tretë, për shkak të mungesës së fashikujve të përkthyer në shqip të anëtarëve të bandës Habialaj: Moisi Habilajt, Nezar Seitajt dhe Meridian Sulajt. Ndërsa, dy seancat e mëparshme gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës në sallë dhe problemeve me prokurën e ish-shefit të sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut të Vlorës, Gjergj Kohilës, i cili ndodhet në arrati.
Ish-ministri më jetëgjatë i Punëve të Brendshme akuzohet për bashkëpunim me bandën e Habilajve në trafikimin e drogës drejt Italisë. Ndaj tij janë ngritur tri akuza: “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.