Kryetarja ende në detyrë në Bashkinë e Durrësit, Voltana Ademi, në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ka postuar kërkesën e plotë që ka depozituar në emër të shoqatës në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me votimet e 30 qershorit, më 17 korrik.
“Ne e dimë se sot Gjykata Kushtetuese është jofunksionale, por duke besuar tek drejtësia dhe duke marrë parasysh edhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, ne jemi të vendosur të vazhdojmë reagimin tonë institucional përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore.”- shkruan Ademi, duke nënvizuar kërkesat kryesore të shoqatës.
Postimi i plotë e Voltana Ademit
Konkretisht, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar:
Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/ procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe si rrjedhojë, konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve;
Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019 në përputhje me germën d të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ne e dimë se sot Gjykata Kushtetuese është jofunksionale, por duke besuar tek drejtësia dhe duke marrë parasysh edhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, ne jemi të vendosur të vazhdojmë reagimin tonë institucional përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore.
Më poshtë gjeni të plotë kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.











