Nuk ka asnjë dyshim se mesnata e 21 korrikut 2016 ka hyrë në historinë e Shqipërisë. Në parlamentin shqiptar do të miratohej si rrallëherë me 140 vota të të pranishmëve një nga një reformat më të kontestuara dhe më të përfolura, ajo në sistemin e drejtësisë.
Në ato ditë të nxehta korriku do të mbahen mend ecejaket e ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe koleges së tij të BE-së, kroates kokëkuqe Romana Vlahutin. Zyra e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në katin e dytë të godinës në qendër të Tiranës ishte vënë në fokus të dhjetra skenarëve që binin e ngriheshin për mënyrën se si do të funksiononte sistemi i drejtësisë.
Ato ditë u dëgjuan për herë të parë edhe për Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo dhe institucioneve të reja si SPAK, BKH, KED, KLGJ, KLP, etj. E fundit pengesë ishte paragrafi 88 i Komisionit të Venecias që sipas opozitës ishte tjetërsuar nga mazhoranca për të vënë në dorë institucionet e reja. Zgjidhja u gjet te konsensusi që duhet të lishin palët për të ngritur këto institucione.
Rezultati ishte 140 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, por nuk munguan edhe denoncimet e deputetëve të ndryshëm që kishin marrë telefonata kërcënuese nga selia e rrugës së Elbasanit se në rast të votës kundër do të konsideroheshin “të padëshirueshëm” për SHBA-të.
Në atë seancë kryeministri Rama mbajti një fjalim vlerësues dhe premtues se kjo reformë “do të çelë siparin e një revolucioni në sistemin e drejtësisë” dhe se “gjykatësit e prokurorët e korruptuar do i fshinte fshesa e vetingut”.
Në krahun tjetër lideri demokrat Lulzim Basha tha se “reforma në drejtësi ishte një ogur i mire për bashkimin e shqiptarëve për drejtësinë e standardit europian”. Të dy akuzuan njëri – tjetrin për krijimin e pengesave të qëllimta.
Ishte reforma në drejtësi që shënoi thyerjet e para të forta mes koalicionit që qeveriste vendin në atë kohë mes PS-së dhe LSI-së. U pranua edhe më vonë nga vetë Rama se ato ditë qeveria gati u rrëzua. E famshme ishte përplasja publike mes kreut të Kuvendit, Meta dhe kreut të komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj që drejtonte edhe komisionin e posaçëm të kësaj reformë.
Në mediat dhe portalet pro-qeveritare thellohej ideja se kundër reformës në drejtësi po punon Meta dhe Berisha që sipas tyre i trembeshin “drejtësisë së re”. Një vit para zgjedhjes së Presidentit nuk munguan as zërat për krijimin e një qeverie teknike që do të çonte vendin në zgjedhje.
Më vonë edhe Meta ka zbuluar disa gjëra nga ajo që diskutohej në zyrën e tij në prani të ambasadorëve të huaj. “Me ambasadorët kam pasur gjithmonë takime me dëshmitarë”- thoshte Meta më vonë për të treguar se nuk kishte luajtur nën rrogoz.
Po ku është sot reforma në drejtësi?
Nuk do të shkonte gjatë dhe konsensusi historik i mesnatës së 21 korrikut do të harrohej. Me afrimin e zgjedhjeve të 2017-ës, opozita doli nga parlamenti për të vijuar aksionin e saj në një çadër të ngritur përpara kryeministrisë. Në parlament, ngritja e institucioneve të reja nisi të zvarritej dhe në shumë raste mazhoranca e interpretoi ligjin në mënyra të ndryshme për të zhbllokuar situatat.
Ngritja e Këshillit të Emërimeve në drejtësi që duhet të ishte një institucion bipartizan u bë në mënyrë të njëanshme, por ndërkombëtarët heshtën. Më pas u shpik edhe një post i ri, ai i Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në një sallë të mbushur me tym, mazhoranca zgjodhi Arta Markun në vend të Adriatik Llallës.
Më pas do të niste Vetingu, por nisja e këtij procesi nga kupola e sistemit ka lënë tashmë vendin pa institucione të rëndësishme siç janë Gjykata, Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Oerd Bylykbashi, njëri prej hartuesve të kësaj reforme nga opozita thotë sot se ajo që kemi sot është “fruti i fundit i hidhur i reformës së 2016”.
“Sot nuk kemi më Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë. Euramalius paska propozuar që mund të emërohen gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Larte sa për të emëruar 3 anëtarët që i duhen Ramës në Gjykatë Kushtetuese. Te përzihen rropullitë vetëm ta mendosh. Më herët kemi parë se si KLGJ dhe KLP u kapën duke vënë në to persona kryekëput të lidhur me PS. Janë këta që do të caktojnë gjyqtaret dhe prokurorët e ardhshëm që do zëvendësojnë ata që po ikin nga vetingu. Do te krijojnë gardën pretoriane të Ramës në Drejtësi, që ta ruajnë atë në 10-15 vitet e ardhshme nga drejtësia për maskarallëqet që po bën sot pa fund. Vetingun e kapën sepse në listën e kandidateve kishin aplikuar vetëm të majtë ndërkohë që Opozita ishte ne çadër” – shkruan Bylykbashi.
Tani sytë janë te SPAK, Struktura e Posaçme Anti-Korrpsion që pretendohet të arrestojë zyrtarët e lartë të përfshirë në afera korruptive. Tashmë nuk janë më as ambasadorët Lu dhe Vlahutin që rrëzëllenin në lozhën e sallës së seancave plenare atë mbrëmje korriku. Reforma në drejtësi mbushi 3 vjet, por shqiptarët e kanë parë vetëm në letër ndërsa politika vazhdon ta përdorë për konsumin e saj të përditshëm duke ia përmendur njëri – tjetrit sa herë nuk kanë diçka për të thënë. ©LAPSI.al