Është zbardhur kallëzimi në Prokurori i Partisë Demokratike ndaj anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisionerëve të Partisë Socialiste dhe zyrtarëve të lartë për ato që selia blu i cilëson si “krime zgjedhore” gjatë vendoreve të 30 qershorit.
Në padinë e bërë, PD kërkon nga kryeprokurorja e Përgjithsme e Përkohshme, Arta Marku, që të mos pengojë zhvillimin e hetimeve për shkeljet ligjore të shënuara në zgjedhjet lokale. Në letrën e datës 12 korrik, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje se organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej cënimeve kushtetuese në procesin e fundit zgjedhor.
“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra.” – shkruhet në letrën e Bardhit.
Duke akuzuar Markun si “mburojë politike për qeverinë e aq më tepër me votimet e paligjshme të 30 qershorit”, PD rendit të gjitha shkeljet e ligjit, të vëna në dukje prej saj, nga media, misioni ODIHR-it para, gjatë dhe pas 30 Qershorit, si presioni ndaj punonjësve të administratës shtetërore, blerja e votave, mbushja e kutive të votimit, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga 4 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve etj.
‘Të vetmit që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë asgjë nga krimet e mësipërme janë prokurorët e Republikës, që duhet të ishin në krye të detyrës për të mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet e vendit.’ – shkuhet më tej në letër.
Bardhi ka nxjerrë në pah gjithashtu mosveprimet e prokurorisë për dosjet e krimeve zgjedhore dhe pasojat për vendin.
“Mosveprimi i prokurorisë për krimet zgjedhore të partisë në pushtet është i përsëritur. Ai ka prodhuar pasoja të rënda për demokracinë, duke kaluar nga një masakër elektorale tek një tjetër. Në dijeninë tonë, deri tani, prokuroria nuk ka guxuar as të marrë në pyetje personat kryesorë të përfshirë në dosjet penale të krimeve elektorale të viteve 2016 apo 2017, si Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu etj.”
Megjithëse ka sjellë disa argumente se Marku ka injoruar detyrimet e veta kushtetuese, PD nuk ka hequr dorë nga mundësia për ta vënë kryeprokuroren para përgjegjësisë për të vepruar, duke i paraqitur, siç citojmë nga letra, “disa indicie publike për krimet e reja zgjedhore.”
“Është koha që ambicia juaj për t’u emëruar Prokurore e Përgjithshme me ndihmën e Edi Ramës të mos pengojë hetimin e krimeve zgjedhore të partisë në pushtet, të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës dhe të krimit të organizuar me lidhje qeveritare.”- përmbyllet letra e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

