Pasi denoncoi koncesionin për aksin Milot-Balldren, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shpalosur disa pika të programit politik të forcës politike që drejton, duke radhitur si hap të parë “shkatërrimi i grupeve kriminale të lidhura me qeverinë”.
Në deklaratën për mediat nga selia blu, kryedemokrati u zotua se me ardhjen në pushtet të PD-së, do të shpallet një luftë e hapur ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit shtetëror.
“Koncensionet do të paralizojnë të gjitha financat dhe do të bllokojnë çdo shërbim publik. Të gjitha paratë e buxhetit për vitet e ardhshme janë kontraktuar tashmë përmes firmosjes nga Edi Rama në çdo fushë. Për të paguar për dhjetra vite klientët e tij. Kjo po sjell shkatërrimin e konkurrencës së lirë, po pamundësojnë aktivitetinn normal ekonomik, po mbyllin bizneset e vogla.
Krimet ekonomike po shkatërrojnë konkurencën. Krimi i organizuar ka kapur politikën dhe ejkonominë dhe ky do të jetë shkatërrrimi total i stabilitetit politik. Është emergjencë dhe prioritet kombëtar shkatërrimi i grupeve kriminale të lidhura me qeverinë, dhe ky do të jetë hapi i parë që do të ndërmarrim që ditën e parë që do të vijmë në pushtet.”- tha Basha.
Basha paralajmëroi gjithashtu se politikanët dhe zyrtarët e lartë që kanë vënë pasuri të paligjshme, do të japin llogari para ligjit dhe do të përballet me pasojat.
“Ne do të ndërmarrim në mënyrë të paparë ndonjëherë luftën kundër korrupsionit, hetimi ndaj kontratave dhe koncensioneve. Çdo kontratë koncesionare do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale pa asnjë përjashtim. Çdo kompani apo ent privat apo publik, çdo person privat apo publik që është përfshirë në afera të tilla do të përballet me pasojat.
Misioni ynë do të fokusohet tek paraja, do të gjurmojmë dhe studiojmë çdo prejardhje të parave. Hetimi do të përfshijë ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve në paligjshmëri që paratë e vjedhura po i investojnë në luukse, do t’ju konfiskohen dhe sekuestrohet për t’ju kthyer shqiptarëve.
Politikanët me pranga në duar janë kontributi më i madh për demokracinë”, u shpreh kryetari i PD-së.