Dega e Partisë Demokratike në Lezhë ka paditur komisionerët dhe numëruesit e Partisë Socialiste për shpërdorim detyre në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së shtypit të degës lokale të PD-së, bëhet me dije se ndaj subjekteve të mësipërme është paraqitur ndër të tjera kallëzim për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve”. Sipas PD, ky kallëzim mbështetet në dyshime të arsyeshme nga monitorimi i kryer nga strukturat e partisë, referuar informacioneve të marra nga qytetarët, si edhe të dhënat e publikuara zyrtarisht, se në disa Qendra Votimi në ZAZ 12 dhe 13 në Lezhë, janë kryer veprime me qëllim manipulimin e rezultatit të votimeve.
“Ne besojmë se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë do të dëshmojë profesionalizëm, paanësi dhe korrektësi në hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështje, për zbardhjen e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të cilat kanë sjellë si rezultat mbajtjen e një proçesi votimi të kundraligjshëm si dhe falsifikimin e materialeve zgjedhore me qëllim dokumentimin e një rezultati të manipuluar dhe të pavërtetë”, shkruhet ndër të tjera në deklaratë.
Gjithashtu, në deklaratë shkruhet se organizimi dhe administrimi prej komisionëreve dhe numëruesve i proçesit të votimit të datës 30 qershor, është në kundërshtim me dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke përbërë shkelje të rëndë të rendit kushtetutes.