Është zbardhur kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit, në lidhje me shkarkimin e Arben Malajt nga posti si anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në shkresën dorëzuar Kuvendit, grupi parlamentar socialist vlerëson se Malaj, në asnjë prej daljeve publike, nuk i ka shërbyher interesit më të mirë të BSH-së, si edhe të gjithë sistemit bankar në Shqipëri.
“Në asnjë prej rasteve nuk është marrë parasysh karakteri publik i funksionit që ushtron si anëtar i këshillit mbikëqyrës të BSH dhe kjo natyrë sjelljeje nuk ka qenë dhe nuk i ka shërbyer ruajtjes dhe nxitjes së besimit publik lidhur me Bankën e Shqipërisë.” shkruhet ndër të tjera në kërkesën e PS-së.
Po ashtu, në shkresë theksohet se secila prej daljeve publike të ish-ministrit të Financave, çon në konkluzionin se temat e trajtuara dhe qëndrimet e shprehura, bien ndesh dhe cënojnë pavarësinë dhe integritetin që kërkon pozicioni i mbajtur në BSH.
Në këto rrethana, grupit parlamentar i PS-së ka vlerësuar se anëtari i Këshillit Mbikëqyrës është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të mëtejshëm të funksionit sipas neneve të parashikuar në ligj.