Gjykata e Matit ka miratuar si të ligjshëm mandatin vendor të kryebashkiakut të ri, Agron Malajt, ish-gardistit të “21 janarit”.
Malaj u shkëput nga drejtimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për të hyrë në garën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Ky është mandati i dytë i konfirmuar nga gjykatat për fituesit e zgjedhjeve në katër bashkitë e Qarkut Dibër, pas mandatit të Ilmi Hoxhës për Bashkinë Klos.
Ndërkohë, pritet që mandatin ta marrin edhe Lefter Alla për Bashkinë Bulqizës, si edhe Dionis Imeraj për Bashkinë e Dibrës.
Marrja zyrtare e detyrës paraprihet nga konstitimi i këshillave bashkiakë dhe betimi i kryetarëve të rinj.
Megjithatë, mandatet e Këshillave Bashkiakë ende nuk janë konfirmuar, pasi do të duhet t’i kalojnë Kolegjit Zgjedhor, për shkak se në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur kuorumin e nevojshëm prej 5 anëtarësh.
Ky ngërç procedurial vjen si pasojë e kundërshtimit të kreut të KQZ-së, Klement Zgurit, për të rënë ndesh me vendimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.