Partia Demokratike ka publikuar një dokument, i cili sipas saj, vërteton se çmimi i naftës në Shqipëri do të rritet. Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, u shpreh në një konferencë për media se Edi Rama po rrit sërish çmimin e karburantit, duke zhvatur miliona euro të tjera nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës.
“Edi Rama ka vendosur të vjedhë shqiptarët duke krijuar një agjenci shtetërore, e cila do të blejë, menaxhojë dhe tregtojë një sasi të caktuar rezerve karburanti në rast krize. Ai dhe ministrja e tij e Financave gënjyen paturpësisht, kur thanë se nuk ka rritje të re të çmimit të karburanteve. Por Ministrja e Energjisë Belinda Balluku, e nxjerr në shesh këtë gënjeshtër të Edi Ramës me shpjegimet ligjore që ka çuar në Kuvend” – tha Spaho që tregoi një pjesë nga shpjegimet në draftin që i është dorëzuar Kuvendit.
“Në fund të shpjegimit të ligjit që rrit çmimin e karburanteve për të mbajtur me para Agjencinë e Edi Ramës, thuhet qartë se “kostot mund të ndikojnë në çmimin e konsumatorit fundor”. Dokumenti që gjendet në faqen zyrtare të Parlamentit është prova nga vetë qeveria se ky vendim i Edi Ramës zhvat shqiptarët dhe i varfëron akoma më shumë” – tha Spaho.
“Shqipëria është vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë, pasi Edi Rama vendosi 4 vjet më parë edhe taksën e qarkullimit 270 lekë për litër. Kjo ndërhyrje e re e qeverisë për të rritur sërish çmimin nëpërmjet një takse tjetër është goditje direkte për qytetarët, 31 përqind e të cilëve nuk mbyllin dot muajin dhe nuk ushqejnë dot plotësisht fëmijët. Ne do të anulojmë që ditën tonë të parë në qeverisje taksën Rama mbi karburantet. Ne do ta ulim me 300 lekë më pak çmimin për çdo litër naftë!” – premtoi Spaho. ©LAPSI.al
