Partia Demokratike ka akuzuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve se është përfshirë në një proces kriminal për falsifikimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, publikoi disa dokumenta, duke pretenduar se për Bashkinë Vaut Dejës, është votuar me fletë të falsifikuara.
Partia Demokratike publikoi disa dokumenta, nga të cilët pretendon se për bashkinë e Vaut Dejës është votuar me flete votimi që nuk u dihet origjina.
Bazuar në dokumentin e doganave, Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, tha se se fletët e votimit kanë qenë në doganë në orën 7:58 të së dielës së 30 qershorit, ndërsa votimet kishin nisur që në orën 7.
"Skandali që duam të denoncojmë sot ka të bëjë me votimet e paligjshme në bashkinë e Vaut të Dejës. Konkretisht, me angazhimin personal të anëtarëve të KQZ-së është lejuar kryerja e votimit në bashkinë e Vaut të Dejës me fletë votimi të falsifikuara dhe që nuk i dihet origjina e tyre.Ky është skandali i tretë që do ta dëshmojmë me dokumenta zyrtare. Të gjithë e kujtojmë se materialet zgjedhore në KZAZ e bashkisë së Vaut të Dejës u dogjën në rrethana të panjohura sipas një skenari të parapërgatitur nga Edi Rama dhe banda e tij në zonë. KQZ me vendim 925 të datës 28 qershor nxori jashtë përdorimit rreth 40 mijë fletë votimi dhe të gjitha materialet zgjedhore, përfshirë listat apo vulat. Në 7 të mëngjesit 30 qershor nga KQZ u raportua se edhe me angazhimin personal të deputetit Tom Doshi, person në listën e zezë të SHBA, gjithçka ishte në rregull", tha Bardhi.
Bardhi tha se dokumentat faktojnë një proces kriminal të kryer nga KQZ, ndërsa ngriti këtë pyetje.
Partia Demokratike denoncoi dhe një paligjshmëri tjetër në votimet për bashkinë e Vaut Dejës. Sipas Bardhit, anëtarët e KZAZ-së, ishin në konflikt interesi të hapur.