Pasi ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Denaj, hodhi poshtë zërat për rritjen e çmimit të karburantit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka reaguar duke e quajtur këtë deklaratë një mashtrim.
Në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, Shehaj ka publikuar një dokument me ligjin për taksën e re, që sipas tij vërteton të kundërtën e deklaratës së ministres Denaj.
Shehaj shkruan se qeveria mashtron qytetarët duke e mohuar këtë taksë të re, teksa shton se ligji i ri parashikon shprehimisht që burimi financiar i agjencisë mbi menaxhimin e rezervave të naftës do të jetë: “Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Republikën e Shqipërisë.”
Postimi i plotë:
Agron Shehaj nxjerr ligjin për taksen e re mbi karburantin. Edi Rama po mashtron, njësoj si për taksën e Rrugës së Kombit. Taksë apo tarifë, shqiptarët do ta paguajnë më shtrenjtë karburantin.
Qeveria mashtron qytetarët duke mohuar taksën e re mbi naftën.
Ligji i ri parashikon shprehimisht që burimi financiar i agjencisë mbi menaxhimin e rezervave të naftës do të jetë: “Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Republikën e Shqipërisë..”
dhe
“Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, vendos tarifat e përmendura në pikën 1.1..”
Rama bën lojra fjalësh. Edhe taksën prej 5 eurosh të Rrugës së Kombit e quajti tarifë por pak rëndësi ka si e quan.
E vërteta është që kemi të bëjmë me taksën e radhës për shërbime të panevojshme, që nuk ka për qëllim rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve por vetëm një mënyrë të re për të pasuruar veten dhe miqtë e tij oligarkë në kurriz të popullit me të varfër në Europë.