Pas Fierit dhe Mallakastrës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u takua me strukturat e degës së Lushnjës. Në takim, Basha vuri theksin te dhuna e Rilindjes ndaj punonjësve të administratës për të dalë me detyrim në 30 qershor.
“Detyroi me dhunë dhe presion me bukën e gojës mijëra punonjës administrate dhe mori atë që meritonte prej tyre. Vetëm në Lushnjë nxori në votime me dhunë rreth 1700 mësues. Refuzim dhe mesazh të qartë që duhet të largohet. Dhe do largohet për të çliruar edhe punonjësit publikë nga presioni me bukën e gojës”, - tha Basha.
Basha theksoi se tashmë 85% e shqiptarëve kërkojnë ndryshimin e madh që nis me largimin e Edi Ramës.
“85% e qytetareve treguan që e refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe se duan ndryshimin. Ata duan jo thjeshtë të iki një parti dhe të vijë një tjetër. Nuk jemi në betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik, për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë”, - tha Basha.
Basha theksoi se ne 30 qershor Edi Rama kishte një skenar për gjakderdhje mes shqiptarëve.
“Përgjshmëria jonë provon edhe njëherë se jemi ndryshe nga Edi Rama. Ai për pushtet është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka, edhe jetën e shqiptarëve. Ndërkohë që për ne demokratët kjo është e papranueshme” – tha Basha.