Flash

Lubonja, si Odiseu kundër Ciklopit Rilindje

Lapsi.al 9 July 2019
Lubonja, si Odiseu kundër Ciklopit Rilindje

Ky sulmi ndaj Fatos Lubonjës, ose më mirë, makinës së tij, është një lloj kambane alarmi që të përpin.

Gjëja në vetvete duket pak e ekzagjeruar: një i metë mendor, me precedentë kundër të njejtit person, ka shtrydhur jetën e tij dhe inteligjencën e pakët për të shpikur aktin suprem të ekzistencës së tij, duke ngritur një gur dhe duke e hedhur atë mbi makinën e të vetmit intelektual të vërtetë dhe të thellë, i mbijetuar i komunizmit dhe i zbrazëtisë absolute që e pasoi komunizmin.

Ishte vetëm një gjest muskujsh, sa i dhunshëm aq edhe idiot, një gur për të dëmtuar një send të pajetë. Dukshëm shprehja më e lartë intelektuale e një individi fatkeq, por që këto kohë ikonë e një morie të tërë militantësh, të trembur se po humbasin afërsinë me plaçkën e grabitur, apo më mirë që po dridhen nga frika se po humbasin mundësinë—që sot ua jep përkatësia në partinë politike hegjemone— për ta nxjerrë ligësinë e tyre tek fqinjët e tyre.

Në botë të tjera, në kohëra të tjera dhe, mbi të gjitha, në kultura të tjera, kjo idiotësi nuk do të bënte lajm, por në Shqipëri, në verën e 2019-s, jemi të detyruar të reflektojmë më thellë.

Fatosi është një njeri publik dhe për këtë arsye ndonjë sherr duhet ta presë. Aq më tepër kur njihet si një nga akuzuesit më të drejtpërdrejtë të asaj bande, e cila sot përpiqet të bindë veten se “është shteti”—një bandë që drejtohet (ndoshta) nga ish-miku i tij Edi Rama, por që ka si një material ngjitës vetëbesimin e shfrenuar të epërsisë morale që bashkon një grusht hajdutësh të ligj, injorantë, të pandëshkuar dhe të egër, secili prej të cilëve ka lexuar në gjithë jetën e tij vetëm sa një e milionta e asaj që ka studiuar Lubonja, madje nuk ka asnjë provë se kanë kuptuar ndonjë gjë edhe nga ajo një e miliontë.

Prandaj nuk ka asgjë të çuditshme që një nga shumë të çekuilibruarit, i regjistruar vullnetarisht (dhe ndoshta pa kërkesën e tyre) në trupat e sulmit të Rilindjes, i shpreh mendimet e sinqerta socialiste dhe evropianiste në mënyrën e vetme që ai është në gjendje të konceptojë.

Ajo që nuk kuptohet është heshtja e makinës së fuqishme të propagandës që, deri më sot, ka menaxhuar në mënyrë të përsosur krijimin e realitetit virtual të Rilindjes, atij realiteti që magjepsi, së pari, elektoratin shqiptar dhe pastaj diplomatët e sistemit ndërkombëtar, dhe që ende edhe sot shërben si alibi, edhe pse gjithnjë e më e dobët, për kancelaritë e huaja.

Kjo makinë propaganda, e cila ka qenë në gjendje të mbajë në këmbë pretendimin se një grusht shteti i ngritur mbi shkelje të vazhdueshme të së drejtës kushtetuese është një reformë shpëtimtare në drejtësi, nuk mund të rrëzohet pikërisht nga një fakt aq i parëndësishëm sa guri mbi makinën e Lubonjës.

Në të gjithë botën “normale”, të cilën doktorët e spërdredhjes të Edi Ramës e kanë manipuluar në mënyrë kaq të zgjuar, deri tani, frikësimi i një opinionisti—madje, i dikujtë që mbijetoi thuajse njëzet vjet në burgjet komuniste pa patur asnjë faj; që është i njohur dhe frekuentuar nga gjysma e botës intelektuale amerikane dhe evropiane; dikush që u vu në rresht të parë (me Ramën fshehur shumë, shumë më mbrapa) për të detyruar Presidentin e atëhershëm Berisha për dorëzimin politik, pa kërkuar asgjë për vete—është një autogol i vërtetë, një katastrofë komunikimi, një katastrofë marrëdhëniesh.

Është edhe me keq, kur kjo ndodh ndërsa një qeverisje, gjithnjë e më absolute, ka paraqitur një ligj për t’u mbyllur gojën mediave që nuk i kontrollon dot, dhe akoma më keq që ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër dhunimi kushtetues ndaj pushtetit të Presidentit të Republikës, bastioni i fundit që u ka mbetur të gjithë “të tjerëve”.

Përkundrazi, propaganda hesht.

Mos vallë sepse janë me pushime në ndonjë nga ato risortet luksoze në bregun e Jonit, ku bojarët e tyre pastrojnë paratë e sigurua me shumë lodhje?

Por jo, mendja ta thotë se truri i Rilindjes nuk funksionon më.

Një dehje nga fuqia e pakufishme, nga afrimi e eliminimi përfundimtar i armikut historik, ka errësuar mendjet, tashmë të stresuara, të këtyre mendimtarëve të mprehtë, deri në atë pikë sa nuk kujtojnë më gjuhën që u solli atyre aq fat dhe sukses, dhe u janë kthyer egërsisë së tyre natyrale, si çakejtë me barkun plot, shumë arrogantë dhe dembelë për t’u marrë më një armik që tani po vdes.

Më mirë të frekuentosh vendet verore të pushtetit, për të mbuluar me lajka, si servilë që janë, udhëheqësit e vërtetë ushtarakë të bandës dhe për të marrë shpërblime dhe detyra për një të nesërme plaçkitjesh të shkëlqyeshme. Dhe duke mbyllur telefonat si shenjë e fuqisë së vërtetë.

Por në këtë pikë gabojnë shumë. Historia e njerëzimit tregon se në politikë vdekja vjen menjëherë pas suksesit, që të vdekurit ngjallen ndërsa fituesit festojnë, sepse “zgjidhja përfundimtare”, asgjësimi i armikut, nuk mund të ekzistojë në fiziologjinë e politikës: nuk ekzistonte për Hitlerin, pavarësisht se pati Sperin, Geringun dhe Gëbelsin, e jo më për Rilindjen që më e mira që mund të bëjë është të tregojë Taulant Ballën, Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin.

Dhe gabojnë edhe më rëndë sepse Fatos Lubonja ishte, sikurse edhe grupi që mbrojti Teatrin Kombëtar—për shkak të ndershmërisë së tij intelektuale dhe mosbesimit të tij koherent dhe të justifikuar ndaj politikës së një opozite jo shumë lineare—një argjinaturë shumë e dobishme në mbrojtje të Ramës.

Megjithëse fjalët e Lubonjës dhe gjykimet e tij publike kanë denoncuar qartë natyrën e vërtetë dhe të rrezikshme politike të Rilindjes, mungesa e dëshirës për të marrë anën e një opozite jo shumë të besueshme, i ka lejuar Ramës të vazhdojë historinë e krijimit mjeshtëror të realitetit virtual se opozita është e trembur nga ardhja e “drejtësisë së vërtetë”, vërtetuar nga fakti se shoqëria shqiptare, madje Lubonja në radhë të parë, nuk dëshiron të ngatërrohet me opozitën.

Të lejosh që dikush të kërcënojë Lubonjën, ose më thjesht të mos e dënosh këtë fakt me ton të fortë, është veprim aq idiot politikisht, sikurse është edhe vjedhja e zgjedhjeve në të cilat kandidon i vetëm, sa shpjegimi i vetëm është se truri i Rilindjes është errësuar nga “stomaku i fryrë”, nga tretja e rëndë që pengon qarkullimin e gjakut, si ciklopi që fle dhe gërrhet ndërsa Odiseu i vogël vret mendjen si të shpëtojë prej tij.

Sot ishte rradha e Fatosit, ndoshta i vetmi person publik me të vërtetë dinjitoz dhe i besueshëm. Për gjithë të tjerët, që deri tani, në mënyrë më shumë se legjitime, nuk donin t’i bënin duart pis, nesër do të jetë vonë.

Rreziku nuk sheh më qartë, ndaj nxeheni hurin dhe verbojeni atë plotësisht, dhe të gjithë së bashku do të fitojmë lirinë. /exit.al/

Reagon Lubonja për sulmin me gurë: Policia gënjeu, serviri një version të rremë për ngjarjen

 

Të këshilluara

Shqiptarët e pinë viagrën e rezistencës

Të yshtur nga shakaja dy kuptimshe e Edi Ramës, se “shqiptarëve nuk iu ngrihet”, një pjesë e kritikëve të qeverisë kanë qenë, për muaj me radhë, të shqetësuar s...

09:42

Çfarë po feston Edi Rama?

Teksa ka lënë pas këtë të dielë nervashkatërruese, Edi Rama ka shpallur më shumë se një arsye për të festuar. Ai ka arritur të realizojë votimet e 30 qersho...

09:16

Pse sot kam vendosur të mos hesht më

Çdo qelizë në trupin tonë ka një mandat të paracaktuar dhe jeton deri kur i vjen momenti për tu larguar. Mirëpo, ka disa qeliza që e refuzojnë këtë urdhër dhe v...

09:56

Tre interpretime për datën e re të Metës

Shpallja e një dekreti tjetër presidencial për 13 tetorin, si data e re e zgjedhjeve lokale, megjithëse faktikisht do të injorohet nga shumica parlamentare, ka ...

18:45

Albania 2019 'Reset Factory'

Pas rreth tre dekadash karikaturë të kapitalizmit dhe demokracisë, Shqipëria tashmë është një telefon që nuk punon. As nuk të marrin, as nuk merr dot: rezolucio...

14:20

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

93.72

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Besa e Edi Ramës dhe pengmarrja e Aeroportit të Vlorës

Nëse “Besa” e Edi Ramës do të ishte standardi i qeverisjes, saga e Aeroportit të Vlorës është shembulli se si shteti mund ta thyejë atë përmes vendimeve kontradiktore, pasigurisë ligjore dhe përdorimit selektiv të pushtetit.

15:40

Me sytë katër

PAPARAZZI