Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KPL) zhvilloi procesin e intervistimit me 4 kandidatë që garojnë për t’u bërë pjesë e Prokurorinë Speciale Antikorrupsion (SPAK).
KLP mori në pyetje prokurorët: Altin Dumani, drejtues në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda; Anton Martinin, prokuror tek Krimet e Rënda, Anita Jellën, drejtuese e Prokurorisë së Durrësit dhe Arben Krajën, prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, i cili është i vetmi mes kandidatëve që ka kaluar me sukses procesin e vetting-ut.
Intervista u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave. Në përfundim, Gent Ibrahimi, drejtues i KLP-së, sqaroi se kjo fazë nuk mund të bëhet në prani të mediave, sepse intervistat janë regjistruar nga vetë Këshilli. “Intervistat janë regjistruar në audio dhe video, sepse ndonjëri kandidat mund të ankimojë vendimin tonë. KLP është e prirur të jetë e hapur. Ajo çka ndodhi sot, në intervista, ishte pjesë e një procesi administrativ, dedikuar shqyrtimit të kandidatëve. Sot konfirmuam gjetjet paraprake të komisionit. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike”, tha Ibrahimi.
Kandidatët janë pyetur ndër të tjera në lidhje me dosjet e hetuara, arsyen e kandidimit dhe për të ardhmen e sistemit.