Në komentet e gjëra që bëri për këdo dhe për gjithçka, Ilir Meta doli shpesh nga petku presidencial, jo me kostum banje si të dielën e votimeve, por nga gjuha që përdori dhe konceptet që parashtroi. Nëse marrja nëpër gojë e lidhjeve familjare të kolegëve gazetarë, rrefuzimi për tu përgjigjur për "pyetjet provokuese", apo krahasimet me Mujo Ulqinakun, që i vuri pushkën pushtuesve, ishin qëndrime të pavenda, citimi i atyre që kryeministri hungarez Orban i ka thënë për Xhorxh Sorosin, ishte padyshim një lëvizje jo produktive diplomatike.
Gjatë fjalimit të tij që i ngjante si një kapsolleje që i shpërndan saçmet me rreze 180 gradë, presidnti citoi edhe autokratin e Budapestit: “Kam dy fjalë edhe për miliarderin e nderuar George Soros. Na ndihmoi në vitin 2000, sepse edhe ai është socialist në pikëpamje. Por më pati thënë Viktor Orban: “kini kujdes se nuk është aq demokrat dhe komploton edhe kundër demokracisë”.
Në fakt, që presidenti i vendit e ka radhitur veten në qarkun e atyre që besojnë tek teoritë e komplotit që gëlojnë mbi spekulantin e bursave ndërkombëtare, kjo nuk ka asnjë dyshim. Jo vetëm shigjetat për Fondacionin Soros, por edhe komentet e rrethit të tij të ngushtë dhe njerëzve të tij të afërt, që shohin kudo tentakulat e oktapodit që ka kapur Brukselin dhe Departamentin e shtetit për të mbajtur në pushtet Edi Ramën nuk janë një gjë e re.
Natyrisht, Ilir Meta mund të ketë të drejtë kur e lidh këtë me gropat skandaloze që po i hapen reformës në drejtësi. Ai mund t'a ketë mirë kur sheh tek ndonjë ndihmë shroprorcionële ndërkombëtare, dorë okulte të diplomacisë paralekle. Ato i kanë vëne re edhe shumë faktor në vend përfshirë edhe Lapsi.al që po bën këtë koment. Presidenti nuk bën ndonjë surprizë as ndërkombëtarisht.
Ka shumë rryma sot në botë, nga Trump tek Orban, nga vëllai i mbetur Kazinski në Poloni e deri tek kreu i partisë më të madhe italiane zv kryeministri Salvini, që e kanë bërë të tyren retorikën anti Soros. Besojnë apo jo në këtë paranojë, ata e kanë kthyer atë në kredon e tyre. Dhe këtu megjithëse socialist dhe i majtë, ashtu sikurse u vekonfirmua sot, Ilir Meta është në të drejtën e tij të vendoset politikisht.
Por, problemi i tij real dhe shkelja e një vije të kuqe në ekuilibrin e lojës ndërkombëtare është se, në fjalimin e sotëm, mes dy modeleve që ndeshen në Hungari, atij të Viktor Orbanit dhe atij të Xhorxh Sorosit, presidenti Shqiptar zgjedh të parin.
Po çështë ky model?
Ai po njihet gjerësisht në politologji si eksperienca e demokracive iliberale, që vërtet fitohen me zgjedhje, por më pas e shfrytëzojnë këtë fitore për të mbytur drejtësinë e pavaruar, për të kapur mediat, për të pasuruar oligarkët dhe për ta shfrytëzuar demokracinë, ashtu sikurse thoshte dikur Erdogani, vetëm si një tramvaj që të shpie në stacionin që ti dëshiron.
Po ti shtosh këtij modeli lidhjet me krimin dhe grabitjen e votave ai ngjan më shumë me atë që shqiptarët po shikojnë me sytë e tyre sot, nën qeverisjen e Edi Ramës.
Prandaj të potenciosh modelin hungarez të Orbanit, si kundërpeshë për sistemin okult të Sorosit, është një gafë e dyfishtë.
Ajo është së pari një gafë parimore, sepse asnjeri që është kundër sistemit të Ramës në Tiranë, me shoqëri civile, media dhe drejtësi të kapur, nuk mund të jetë pro asaj që po ndodh në Hungari.
Së dyti, pasi pikërisht për këto dukuri, partia FIDEZ e Orbanit po diskutohet të përjashtohet nga grupi më i madh i partive popullore në Parlamenti Europian, një politikani shqiptar që do të mbledhë konsensus ndërkombëtar kundër autokracisë së Ramës, nuk i lejohet të identifikohet me modelin e demokratit iliberal të Budapesit.
Ilir Meta i kapërceu të dy këto caqe, ndaj kjo rrezikon ti mbahet shënim në daljen e parë publike që bëri pas zgjedhjeve.
©Lapsi.al