27 bashkitë që drejtohen nga opozita kanë hyrë në veprime konkrete për të zbatuar dekretin e Presidentit për anulimin e 30 qershorit si datë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Pas kërkesave drejtuar KQZ-së të lirojë ambientet ku janë vendosur KZAZ-të ka pasur tensione të shumta në disa prej tyre. Më shpërthyese situata ishte në Tropojë, Shkodër dhe Lezhë.
Mëngjesin e së martës u sulmua KZAZ nr. 9 në Tropojë. Punonjësit e bashkisë së drejtuar nga përfaqësuesi i PD-së, Besnik Dushaj dhe militantët kanë shqyer derën e KZAZ-së që është vendosur te muzeu i qytetit, ndërsa më pas kanë marrë materialet zgjedhore, vendvotimet duke i hedhur në rrugë duke i shkatërruar plotësisht. Në orët e pasdites u lajmërua se 13 persona u shoqëruan në komisariat ndërsa kanë nisur procedurat e procedimit penal për dëmtim të materialeve zgjedhore.
[video width="640" height="348" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2019/06/WhatsApp-Video-2019-06-18-at-11.43.23-1-1.mp4"][/video]
[video width="640" height="348" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2019/06/WhatsApp-Video-2019-06-18-at-11.43.27-1-1.mp4"][/video]
Në mbrëmje, i njëjti skenar është përsëritur në Shkodër. Përfaqësues të bashkisë dhe mbështetës të PD-së në prani të ish-deputetit Bardh Spahia kanë sulmuar fillimisht pallatin e Sportit ku ndodhet KZAZ-ja numër 2 dhe më pas kanë shkuar në shkollën “Shenjaze Juka” ku ndodheshin materialet zgjedhore e KZAZ 3.
Protestuesit janë përplasur me policinë dhe më pas kanë hedhur molotov te njëra nga dritaret. Mësohet se janë dëmtuar një pjesë e materialeve zgjedhore që ndodheshin aty. Flakët kanë përfshirë katin e parë të shkollës duke djegur dy klasa. Përplasjet kanë vijuar për disa momente dhe është dashur ndërhyrja e policisë dhe forcave zjarrfikëse për të neutralizuar situatën e tensionuar.
Përplasje midis protestuesve dhe policisë në Shkodër, thyhet xhamat e shkollës ku ndodhet materialet zgjedhore on Vidnews.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi tha se po bën gjithçka për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia tha pas incidentit se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme përballë një qeveria e cila sipas tij është kapur në flagrancë duke vjedhur votën.
Edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu ka kërkuar lirimin e ambienteve në varësi të bashkisë, që po shërbejnë si KZAZ për administrimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit. “Në Kamëz nuk ka zgjedhje më 30 qershor 2019”, - shkruan Mziu në Facebook teksa shpërndan video nga këto momente.
Edhe bashkia Lezhë përmes një letre drejtuar KZAZ-ve 12 dhe 13 në këtë bashki i vendos ultimatum duke i kërkuar lirimin vullnetarisht të ambienteve të shkollës 'Besëlidhja'. Nëse nuk do largohen, kryetari i bashkisë Lezhë Fran Frrokaj kërcënon se do të ndërhyhet. Ai bën thirrje edhe për heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve. Gjithashtu Frrokaj i ka dërguar një shkresë policisë së shtetit ku i kërkon ndihmë për lirimin e ambienteve.
Po sot edhe kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila i drejtohet KQZ-së me një ultimatum se duhet të heqë materialet zgjedhore nga KZAZ nr. 6 e cila ndodhet në ambientet e shkollës profesionale 'Ndre Mjeda' para orës 16:00 të ditës së mërkurë. Ai urdhëroi ndërprerjen e veprimtarisë zgjedhore në këtë zonë dhe heqjen listës së zgjedhësve të afishuara në qendrat e votimit.
Për këtë situatë ka folur edhe Presidenti Ilir Meta. Ai vlerëson të gjitha këto bashki që sipas tij po zbatojnë ligjin, pas dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Përmes një reagimi nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, thuhet se Meta po mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provojnë tensione artificiale. Kujtojmë se mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënëses Drilona Hoxhaj, njoftoi se do të çojë para drejtësisë të gjithë kryebashkiakët që po tentojnë të bllokojnë procesin zgjedhor. ©LAPSI.al