Flash

BE gati planin: Kërkon të rrisë ndikimin e saj në botë

Lapsi.al 12 June 2019
BE gati planin: Kërkon të rrisë ndikimin e saj në botë

Bashkimi Europian kërkon të rrisë ndikimin e tij në botë në 5 vitet e ardhshme e të luajë rolin e tij në formimin e të ardhmes globale. Kjo del nga strategjia e unionit deri në vitin 2024.

Bashkimi Europian “duhet të bëhet më i fuqishëm dhe më me vetëbesim”, thuhet në një dokument strategjik të BE, që e zotëron agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Për këtë nevojiten “më shumë burime”, pra më shumë fonde. Edhe dera për anëtarë të rinj në BE do të mbetet e hapur.

Dokumenti 5-faqësh që do të paraqitet në samitin e BE javën e ardhshme e vazhdon në vijat themelore kursin e njohur politik të BE në politikën e jashtme. Nuk ka ndonjë ndërrim të dukshëm të tij apo iniciativa të reja. Ky dokument që do të diskutohet nga 28 vendet anëtare në ditët e ardhshme mund të plotësohet më tej.

BE të luajë rol në formimin e të ardhmes globale

Në politikën e jashtme BE kërkon që t’i përfaqësojë pozicionet e saj më më vendosmëri e më e unifikuar. Në mbrojtjen e klimës, pavarësisht protestave të të rinjve dhe debateve në fushatën zgjedhore europiane, BE nuk paraqet ndonjë objektiv konkret. Dokumenti i referohet marrëveshjes për klimën e arritur në vitin 2015. Megjithatë thuhet aty “BE nuk mund të veprojë vetëm: të gjitha vendet duhet të ecin përpara e të bëjnë më shumë për mbrojtjen e saj”.

Për “forcimin e bazës ekonomike”, ky draft i BE kërkon transformimin digjital të ekonomisë dhe “një politikë industriale ambicioze, të zgjeruar, dhe të koordinuar.” Lidhur me temën e rëndësishme të “mbrojtjes së qytetarëve dhe lirive”, dokumenti thekson kontrollin efektiv të kufijve të jashtëm të BE dhe luftën kundër migracionit ilegal. Ndërsa lidhur me temën që sjell grindje të vazhdueshme në BE thuhet vetëm se “jemi të vendosur të gjejmë një rrugëzgjidhje në politikën e brendshme të migrimit dhe azilit.

BE kërkon të ndikojë në botën globale. Për këtë në dokumentin strategjik theksohet, se “në një botë gjithnjë e më të pasigurtë e komplekse”, BE duhet të ndihmojë në formimin e të ardhmes globale.” Ajo duhet të angazhohet për multilateralizmin dhe rendin botëror të bazuar në rregulla, e të kthehet në frymëzim për të tjerët./ DW

Të këshilluara

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

92.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI