Në datat 21 – 31 Maj, 2019, ne Windsor, Mbretëri e Bashkuar, me mbështetjen e Central Banking, media lider në fushën e informimit të informacioneve bankare dhe financiare, Windsor Training Series organizuan seminarin me teme: “Këshilli mbikëqyrës i Bankave Qëndrore: Qeverisja, qëndrueshmëria dhe rritja e performancës së tyre”. Folës dhe pjesëmarrës ishin autoritete dhe figura nga më të lartat në botën e qeverisjes financiare dhe bankare, drejtues aktuale dhe të mëparshëm të bankave më të mëdha në botë, si edhe ekspertë të botës së financës. Në këtë seminar mori pjesë si folës edhe z. Ardian Fullani, ish-Guvernator i Bankës së Shqipërisë, i cili mbajti fjalën e tij në lidhje me temat: “Funksionimi në një mjedis mandati gjithëpërfshirës: sfidat për Guvernatorët dhe Bordet e Bankave Qëndrore”, “Revolucioni inovativ”, si edhe “Financa e gjelbër në kuadrin e ndryshimeve klimatike”.
Në fjalën e tij z. Fullani së pari foli për dinamikat, tendencat e fundit dhe presionet që ndikojnë në transformimin e mandateve të bankave qëndrore përgjatë vitit 2019 dhe më tej. Ai u ndal së pari në krizën financiare të viteve 2008 – 2009, e cila pati ndikime të fuqishme në ekonominë globale, jehona e të cilave ndihet edhe sot. Duke analizuar shkaqet e kësaj krize, z. Fullani e vuri theksin në forcimin e stabilitetit financiar, që tashmë është përcaktuar si një nga funksionet bazë të mandateve të bankave qëndrore.
Më pas z. Fullani u ndal në zhvillimet aktuale, ku një vend të rëndësishëm zënë ato teknologjike, me lulëzimin e inteligjencës artificiale, robotikës, si edhe infrastrukturave të reja teknologjike bankare dhe të pagesave në kohë reale, si blockchain dhe monedhat virtuale. Ai u shpreh se këto ndryshime janë produkt i kohës ku jetojmë, dhe që mund të kenë një impakt mjaft pozitiv në përmirësimin e infrastrukturës bankare, dhe jo vetëm, për të rritur efiçencën e këtyre mekanizmave me qëllim arritjen e ekselencës në shërbimet bankare.
Në lidhje me rolet dhe përgjegjësitë shtesë të bordeve të bankave qëndrore, duke u mbështetur edhe në eksperiencën e tij, z. Fullani së pari bëri një analizë të ndryshimeve strukturore dhe funksionale të Bankës së Shqipërisë, të realizuara me qëllim përballimin e sfidave të kohës, sidomos krizës së tejzgjatur globale. Banka e Shqipërisë, theksoi ai, e vuri prioritet stabilitetin financiar përpara fillimeve të krizës globale në 2007, duke e konsideruar atë një kontribut madhor jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të bankave dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe bankar, por edhe rritjen e efiçencës të politikës monetare në mbajtjen në objektiv të inflacionit, si edhe ekuilibrin e kursit të këmbimit si faktorë bazë për një rritje të qëndrueshme ekonomike”.
Në atë kohë, z. Fullani theksonte: “Nuk dihet nëse balancat qëndrojnë në kahun e stabilitetit financiar apo politikës monetare, por ajo që dihet është që cdo investim që bëjmë sot në stabilitetin financiar do prodhojë përfitime të mëdha dhe rritje të efiçencës të politikës monetare në të ardhmen”.
Sa i takon evolimit të kërkesave dhe pritshmërive mbi bankat qëndrore, z. Fullani u shpreh se qeveritë duhet të sigurojnë që bordet e bankave qëndrore të qeverisen nga autoritete me njohuri komplementare, dhe miks kompetencash me qëllim përballimin e sfidave dhe mandateve të reja. Bankave qëndrore duhet t’u sigurohet autonomia në vendimmarrje me qëllim tërheqjen e talenteve të duhura në realitetin e teknologjisë dhe inovacionit. Bankat qëndrore gjithashtu duhet të ruajnë një komunikim ekselent me të gjithë aktorët financiarë dhe t’u qëndrojnë afër atyre me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe shmangien e zhvillimeve të padëshiruara të ngjashme me ato të një dekade më parë. Bankat qëndrore duhet të bëhen më të zhdërvjellëta dhe inovative, për të futur në ombrellën e tyre dhe mbështetur zhvillimet e teknologjisë financiare.
Në lidhje me ndryshimet klimatike dhe rolin e bankave qëndrore në mbështetjen e asaj që quhet “financë e gjelbër”, u vu theksi në rëndësinë e kësaj dege të industrisë financiare si një element i rëndësishëm për ekonominë, stabilitetin financiar, dhe politikën monetare. Kjo realizohet nëpërmjet financimeve të projekteve që mundësojnë projekte të energjisë së gjelbër, si ajo diellore, detare, etj., të cilat nuk lejojnë ndotjen e ambjentit dhe ndryshime klimatike që sjellin ngrohjen globale.
Financa e gjelbër po mbështetet, promovohet dhe inkurajohet masivisht nga bankat qëndrore, duke pasur parasysh që përkon me qëllimet e politikave ekonomike të shteteve në lidhje me stabilitetin financiar, dhe në rritjen e cilësisë së jetës dhe mireqënien. Duke pasur parasysh faktin që planeti Tokë po përjeton një ndryshim thelbësor drejt burimeve të reja të energjisë, me qëllim ruajtjen e jetës në të, politika të tilla ndihmojnë financiarisht përpjekjet për gjetjen dhe shfrytëzimin e burimeve të energjisë së gjelbër.
Së fundmi, ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, u shpreh se: “Për të kapërcyer sfidat që imponojnë kohët e vështira, bankave qendrore u nevojitet një nivel i lartë integriteti, i kombinuar me ekspertizë dhe maturi, me një gjuhë të qartë, të drejtpërdrejtë e transparente komunikimi”.
(ARTIKULL PROMOCIONAL)