Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e qytetarëve të etiketuar si “problematikë”, të evidentuar nga pamjet e sigurisë së zonave përreth godinës së Kryeministrisë dhe të Parlamentit, gjatë zhvillimit të protestës së djeshme të opozitës së bashkuar joparlamentare. Mësohet se janë shoqëruar 65 protestues, 40 prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa 25 të tjerë janë marrë në pyetje.
Ndërkaq, nga burime të Policisë bëhet me dije se të paktën 10 efektivë të policisë kanë marrë lëndime të rënda, si pasojë e mjeteve të forta dhe piroteknike të hedhura në drejtim të tyre. Mes të plagosurve janë edhe 4 protestues.
Gjatë protestës së djeshme, të shtatës në radhë në rang kombëtar, nuk munguan përplasjet mes qytetarëve dhe forcave ligjzbatuese. Fronti opozitar njoftoi mbajtjen e protestës së radhës të shtunën më datë 8 qershor. "Ne nuk hedhim asnjë hap pas. E sotmja është dita e fundit ku unë i drejtohem me arsye kupolës socialiste, koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme do ta ketë vetëm sovrani, vetëm ju."- paralajmëroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij përmbyllëse të protestës nga selia blu.