Partia Socialiste ka nisur sot fushatën elektorale duke kërkuar votën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndonëse në garë është futur e vetme, pa partitë më të mëdha të opozitës, PD-në dhe LSI-në.
Gjatë fjalës së tij propagandistike, kryeministri Edi Rama ka nisur menjëherë me sulmet ndaj pjesës së opozitës që ndodhet jashtë zgjedhjeve. Rama i ka quajtur ata frikacakë, dembelë dhe të paaftë.
“S’është parë askund, e s’ka shans të shihet këtu në këtë vend, ku janë boll 30 vjet për t'i dhënë fund lojërave politike në dëm të shtetit të së drejtës. Kanë gjithë të drejtën të luftojnë qeverinë, të ulërasin kundër çdo gjëje, janë në të drejtën e tyre të na shajnë e të na mallkojnë është e drejtë e tyre edhe të mos lënë dy gurë bashkë për të sabortuar BE-ne, por ta harrojnë se kanë në dorë gjë tjetër veçse të vetëvriten politikisht. Ata kanë një problem, janë pak, ne kemi një avantazh jemi shumë. Ata janë dembelë, dhe të paaftë për të drejtuar, ne jemi punëtorë e të përkushtuar në drejtim. Ata janë frikacakë, dhe të alarmuar nga reforma në drejtësi, ne jemi guximtarë e të vendosur ta bëjmë këtë vend shtet ku drejtësia është një për të gjithë e të gjithë janë të barabartë para drejtësisë", u shpreh Rama.