Ditën e sotme janë mbajtur protesta në Mitrovicën Veriore ndaj aksionit të Policisë së Kosovës, i cili është zhvilluar të martën, në komunat e veriut të Kosovës.
Qytetarët serbë kanë dalë të protestojnë në sheshin “Princi Lazar”. Kryetari i partisë, Lista Serbe, Goran Rakiç, u është drejtuar protestuesve, duke thënë se të martën janë rrahur qytetarët e Zubin Potokut, vetëm sepse kanë qenë serbë. Ai ka theksuar se qytetarët serbë të katër komunave të veriut të Kosovës, Zveçanit, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës Veriore, janë unikë dhe nuk janë frikësuar nga, siç e ka quajtur ai, ‘brutaliteti i policisë”.
“Kërkojmë lirinë, mbrojtjen dhe drejtësinë. Dje, kriminelët arrogantë dhe qëllimkeq, të fshehur si policë, kanë përhapur urrejtje dhe dhunë ndaj popullit duarbosh. Kanë goditur, shkatërruar dhe shembur, kanë shtënë duke përdorur justifikimin se po vendosin rend duke e satanizuar veriun, në mënyrë që ta pushtojnë më lehtë. Kjo sjellje është e turpshme për shqiptarët dhe e turpshme për bashkësinë ndërkombëtare, e cila i promovon të drejtat dhe liritë e njeriut”, ka thënë Rakiç.
Në protestën e sotme kanë qenë të pranishëm kryetarët e komunave veriore të Kosovës, zyrtarë serbë të këtyre komunave, si dhe drejtues të institucioneve publike, por edhe të strukturave, të cilat autoritetet e Kosovës i konsiderojnë paralele dhe jo legale. Protesta ka përfunduar pa ndonjë incident .
Policia e Kosovës zhvilloi të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, me qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Operacioni policor ka rezultuar me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.