“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kështu e nisi dhe kështu e mbylli fjalimin e tij nga selia blu kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Por mesazhi më i rëndësishëm ishte artikulimi disa herë i frazës “zgjidhje politike”. Basha tha se mesazhi i qytetarëve ishte i qartë për ndërkombëtarët dhe kryeministrin: largimi i Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
“Jemi gati që me të gjithë faktorët politikë të këtij vendi të nisim dialogun politik që do të bëjë të mundur largimin e njeriut që mban peng zgjedhjet e lira.
Orët dhe ditët në vijom janë orë reflektimi të thellë për ata që mund ta mbajnë peng këtë popull, për ata që mendojnë se në 30 qershor do t;ju vënë litarin në qafë shqiptarëve.
Shkaktari do të largohet dhe kjo do t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Tani këtë nuk e dini të gjithë ju. E di e gjithë Europa, e di e gjithë bota. Beteja jonë po shkon drejt konkluzionit. Beteja jonë po shkon drejt stacionit tonë evropian.
Sot japim këtë mesazh të qartë. Europa e dëgjoi fjalën tonë dhe është koha për zgjidhje: largimi i Ramës, qeveri transitore dhe zgjedhje të lira e të ndershme si rruga e vetme për të hapur rrugët e Europës”, - deklaroi Basha. ©LAPSI.al