Në ligjëratën e tij të mbajtur në konferencën e organizuar nga Shoqata “George C. Marshall Shqipëri”, presidenti i Republikës Ilir Meta, ka shprehur një qendrim të prerë ndaj temës së korrigjimit të kufijve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Dëgjojmë shpesh, pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët, po natyrshëm pse mos të bashkoheni kroatët, të gjithë boshnjakët etj. Këto delirime janë një diabolizëm i gjallë, një pëpjekje e politikanëve për të provokuar tema, për të shmangur vëmendjen nga cështje të brendshme. Dhe shpesh e bëjnë këtë edhe në mënyrë të koordinuar. Dhe ndërkohë cfarë ndodh ikin të rinjtë, nga Kosova, Serbia maqedonia, ikin kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë kudo.”- tha kreu i shtetit.
Meta ka theksuar se teza e rivizatimit të kufijve thellon ndarjet rajonale, në një kohë që sipas tij, është dobësuar pesha ekonomike e Evropës. “Bëhet fjalë për një rajon, Ballkanin Perëndimor, në një situatë kur pesha e Europës nga pikëpamje ekonomike ka rënë në botë, kur globalizimi vë në rrezik të gjithë vendet e vogla dhe gara është mes rajoneve. Dhe ne thellojmë ndarje për arsye më shumë personale.”- shtoi Meta.
Në konferencën e titulluar “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, morën pjesë edhe ish-presidenti Bujar Nishani, si edhe ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Në fokus të punimeve ishin sfidat e sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në arkitekturën euro-atlantike të rajonit.