Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, raportin me rezultatet përfundimtare të hetimit administrativ ndaj ish-prokurorit, Petrit Fusha. Lidhur me raportin, KPK-ja njofton se ka vënë në dijeni edhe Prokuroren e Përgjithshme, Arta Markun.
Ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës dha dorëheqjen në muajin shkurt, pasi u njoh me rezultatet e hetimit 1-vjeçar të ndërmarrë nga KPK-ja në kuadër të procesit të vetting-ut . Fusha ka ushtruar detyrën e prokurorit duke filluar nga viti 1997 e deri më 28 shkurt të 2019-s.
Emri i Fushës është lakuar më së shumti 2 vjet më parë dhe njihet si prokurori që mbylli hetimet për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklajt, në landfillin e Sharrës.