Në përfundim të vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, Lulzim Basha deklaroi se në Shqipëri është emergjente shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës.
“Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik. Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtesia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës” - u shpreh Basha.
Lulzim Basha ishte i ftuar nderi në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër. Mes pjesëmarrësve në këtë darkë pune ishte Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe anëtar i Dhomës së Lordëve, ndërsa Basha vuri në dukje se pa garantimin e votës së lirë nuk mund të këtë stabilitet dhe zhvillim në Shqipëri.
Siç njofton zyra e shtypit të PD-së, në darkë ishin të pranishëm edhe deputetët Crispin Blunt, Sir Mark Lyall Grant, dhe Gavin Ëilliamson, anëtar i Parlamentit Britanik dhe lidershipit të Konservatorëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes. Gjithashtu në darkë ishte i pranishëm edhe Sir Hugh Orde, ish Kryedrejtuesi i Shërbimeve të Sigurisë në Irlandën e Veriut.